
Pas megaoperacionit me 51 urdhër-arreste dhe 1 urdhër ndalimi, policia është ende në kërkim të kokës së grupit të njohur si “Visi i Pojës”, ose Elvis Doçit, si dhe 9 personave të tjerë.
Gazetari Flamur Vezaj, në një komunikim për edicionin e lajmeve në MCN TV, tha se urdhër-arrestet nga Antimafia italiane janë lëshuar që në muajin shkurt, duke ngritur pikëpyetje mbi vonesën e veprimit të SPAK-ut, i cili ka ndërhyrë vetëm pas tre muajsh, pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Për mendimin tim, ky operacion, përveç se ka qenë i vonuar, ka edhe shumë pikëpyetje. Ajo që bën përshtypje është fakti që besoj se të gjithë jemi dakord që personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore duhet të përfundojnë në qeli. Por si ka mundësi që personat kryesorë si Visi i Pojës, apo Xhevdet Troplini, tashmë janë shpallur në kërkim, kur dyshohet se ata janë organizatorët dhe drejtuesit e kësaj mafie?
Dhe si ka mundësi që Troplini nuk ka asnjë masë sigurie, ndërkohë që nipi i tij gjithashtu është shpallur në kërkim, si dhe djali i Xhevdetit, Fatmiri?”, tha ai.
Vezaj theksoi se një nga çështjet kryesore është se Prokuroria e Antimafias italiane ka lëshuar urdhër-arrestet që në shkurt, ndërsa SPAK ka vepruar vetëm pas tre muajsh.
“Si është e mundur që, duke pasur grupe të përbashkëta hetimore, Prokuroria e SPAK nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës që në shkurt për këta personazhe, dhe ka vepruar tani, pas zgjedhjeve. Hetimet kanë nisur që në vitin 2014, kur ishte lëshuar urdhri për arrestimin e Fatmir Troplinit. Si është e mundur që SPAK nuk ka vepruar që në shkurt, duke pasur hetime të tilla që nga viti 2014”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje