TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 07:50

Zbulohen dokumentet e Sigurimit 1990: Mbrapa ambasadës së Republikës Gjermane, makina ‘Robur' tentoi të hynte dhe polici qëlloi me pistoletë

Shkruar nga Dashnor Kaloçi

Zbulohen dokumentet e Sigurimit 1990: Mbrapa ambasadës së

Plot 36 vjet më parë, në fundin e qershorit dhe fillimin e korrikut 1990, me mijra shtetas shqiptarë, kryesisht nga Tirana, por dhe nga rrethe të ndryshme të vendit, thyen kangjellat dhe muret e ambasadave të huaja dhe u futën brenda rrethimit të tyre, duke kërkuar strehim politik e, me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria. Lidhur me këto ngjarje që tashmë njihen si “Ngjarja e ambasadave të 2 korrikut 1990”, që nga ajo kohë e më pas, për gati 35 vite me radhë është folur dhe shkruar shumë, si me dëshmi të personave që u futën nëpër ambasada, apo dhe ish-funksionarë të lartë të shtetit të asaj kohe, shefa policie etej, po ashtu dhe me dokumenta arkivore, kryesisht të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, pjesë e fondit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së.

Por edhe pas publikimit të dhjetëra shkrimeve, ende dhe sot nuk janë zbardhur të gjitha ato çka ndodhën ato ditë të nxehta korriku në Tiranë, si p.sh. cilët ishin shtetasit e parë që u futën në ambasada, si nisi përplasja me policinë, cilët ishin personat që u arrestuan, etj. etj. Nisur nga kjo, për të hedhur sadopak dritë mbi ato ngjarje, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ku janë komunikatat operative sekrete (tashmë të de klasifikuara) ku grupet e drejtimit të Ministrisë së Brendshme, kanë shënuar pothuaj të gjitha ato që kanë ndodhur ato ditë me ambasadat, apo dhe trazirat nëpër kampet dhe burgjet politike, të cilët u solidarizuan me me ngjarjet e 2 korrikut. Këto dokumente publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 2 KORRIK 1990, PËR INCIDENTIN TE AMBASADA GJERMANE ME AUTOMJETIN QË TENTOI TË FUTEJ BRENDA, ME PESË PERSONA NË KARROCERINË E SAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                 SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                     Tiranë, më 2.7.1990

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                            KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 154

TIRANË

Më datën 1.7.1990, prapa ambasadës së Republikës Federale Gjermane, makina “Robur”, TR 01-928, tentoi të hynte brenda në ambasadë, duke ardhur në drejtim të policit të shërbimit, me qëllim për ta shtypur. Polici qëlloi dy herë me pistoletë, në këtë kohë, mjeti fërkohet në faqe të murit ku katër pesë veta, dalin sipër kabinës dhe nga karroceria e mbuluar e u futën në ambasadë. Mbi mjet gjendën disa njolla gjaku.

                                       PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

                                                             HAKI LIÇAJ

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 3 KORRIK 1990, PËR ARRESTIMET E DISA PERSONAVE QË TENTUAN TË HYNIN NË DISA AMBASADËN TIRANË

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                            SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                    Tiranë, më 3.7.1990

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                              KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 155

TIRANË

Më datën 2.7.1889, u ndalua Luan Bektash Kokona, vjeç 18, i pa zënë me punë, për arsye se ka kundërshtuar me dhunë punëtorin e Policisë, në kohën që po futej në ambasadën hungareze.

Më datën 2.7.1889, u ndalua Ramazan Sejfulla Zifi, vjeç 36, shofer në Komunale, për arsye se ka goditur punëtorin e policisë kur ky tentoj të futej në ambasadën turke.

Më datën 2.7.1889, u ndalua Sokol Xhemal Qordezi, vjeç 29, punëtor në fabrikën e këpucëve, për arsye se ka goditur për shkak të detyrës punëtorin e policisë kur tentoj të futej në ambasadë.

           PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

                             ASTRIT MEHJA

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 3 KORRIK 1990, PËR ARRESTIMET E DISA PERSONAVE NË TIRANË, ME AKUZËN PËR PËRMBYSJE TË PUSHTETIT POPULLOR DHE ORGANIZIM KUNDËRREVOLUCIONAR PARA AMBASADAVE

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                       SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                Tiranë, më 3.7.1990

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                          KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 156

TIRANË

Më datën 3.7.1889, u ndalua Xhevdet Sami Agolli, vjeç 33, punëtor në Kombinatin Ushqimor, Ilmi Sami Agolli, vjeç 26, punëtor, Arjan Isa Mançe, vjeç 26, shofer në Komunale, Lefter Mazllëm Ferhati, vjeç 24, punëtor në Kombinatin e Drurit, Napolon Ligor Aleksi, vjeç 27, punëtor në Komunale, për arsye se kanë marrë pjesë në organizimin për përmbysjen e pushtetit popullor dhe kanë kundërshtuar me dhunë përfaqësuesit e pushtetit.

Më datën 3.7.1990, u ndalua Ardian Stefan Konomi, vjeç 24, i pa zënë me punë, i dënuar njëherë, për aryse se ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë së Repartit 326, Avdio Sherif Lekaj, vjeç 21, punëtor në minierë, për arsye se ka marrë pjesë në organizimin kundërrevolucionar para ambasadave, Ilia Petrit Beshiri, vjeç 30, punëtor në Dekorin Funeral, i dënuar katër herë për krime të ndryshme, Shkëlqim Dalip Halili, roje në Kampin e Pionierëve, për organizim kundërrevolucionar para ambasadave.

Më datën 3.7.1990, brenda murit rrethues të ambasadës kubvaneze, është hedhur eksploziv dhe si pasojë janë thyer disa xhama të ambasadës. Për këtë u ndaluan Përparim Isak Kadria, vjeç 38, shofer në Parkun e Industri-Minierave, i dënuar një herë, Agim Isak Sadria, vjeç 35, punëtor në ndërmarrjen Artistike, Muharrem, Ramazan Thorra, vjeç 51, punëtor në Uzinën “Partizani” i dënuar tre herë.

              PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

                                   GËZIM ISUFI

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 3 KORRIK 1990, PËR ARRESTIMET E DISA PERSONAVE NË TIRANË DHE TË DËNUARIT POLITIK TË BURGUT TË KOSOVËS SË LESHNJES QË U SOLIDARIZUAN ME NGJARJET E AMBASADAVE

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                    SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                             Tiranë, më 7.7.1990

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                       KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 158

TIRANË

Më datën 6.7.1990, u ndalua Përparim Isa Dodi, vjeç 29, punëtor, për arsye se ka kundërshtuar dhe fyer punëtorin e policisë, për shkak detyre.

Më datën 6.7.1990, u ndalua Julja Petrit Kruja, vjeç 29, punëtore, e dënuar njëherë, Pëllumb Ramadan Petriti, vjeç 32, i dënuar 12 herë për krime të ndryshme, Sulejamn Neshit Dervishi, vjeç 29, punëtor, i dënuar tyre herë, dhe Mehdi Refik Hidri, vjeç 30, i pa zënë në punë, i dënuar tre herë, për arsye se kanë qëlluar me gurë punonjësin e policisë tek ambasada kineze.

LUSHNJË

Më datën 5.7.1990, të dënuarit politik të Repartit 318 Kosovë, refuzuan ngrënien e darkës. Po kështu refuzuan ngrënien e ushqimit të garantuar të datës 5 dhe 6. Arsyeja është shenjë e solidarizimit me veprimet e ndodhura në 2.7.1990, në ambasadat e Tiranës. Kërkojmë takim me ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë.

Më datën 6.7.1990, në Repartin 318 Kosovë, kur u dha në televizor fjala e shokut Ramiz Alia në plenumin e 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, shumë të dënuar politikë mbajtën qëndrim negative deri në mbylljen e televizorit dhe u shprehën negativisht ndaj udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit./ Memorie.al 

ambasada gjermane 1990

Lini një Përgjigje