Pasuritë e sekuestruara përfshijnë troje, godina dhe sipërfaqe tokash. Sekuestrot kanë lidhje me operacionin 'Ura' që SPAK njoftoi dy javë më parë....
SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e disa pasurive me vlerë 12 milionë euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.
GJKKO ka miratuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e këtyre pasurive që ndodhen në Durrës. Bëhet fjalë për hetime të nisura në kuadër të operacionit ‘Ura’. Pasuritë janë troje dhe ndërtesa në pronësi të individëve dhe kompanive. Sipas SPAK, pasuritë janë në emër të Elvis Doçit, Juxhin Drazhit dhe Ervin Zeqirit.
Rreth dy javë më parë SPAK njoftoi finalizimin e një operacioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht:
29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri;
1 urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme;
22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali.
Sipas SPAK, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.
Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.
Dy javë më parë SPAK njoftonte sekuestrimet e pasurive në të dy vendet ku përfshiheshin: 2 kompani ndërtimi, 4 shoqëri tregtare dhe restorante, 1 agjenci pasurish të paluajtshme, 1 TV kabllor, automjete luksoze, para cash, etj.
Njoftimi nga SPAK
Sekuestrim pasurish për persona të përfshirë në trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash në Itali dhe Shqipëri
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr.36 të vitit 2019* regjistroi procedimin pasuror nr.10/2025 dhe paraqiti në Gjykatën e Posaçme, kërkesën për sekuestrimin e disa pasurive që dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.36 të datës 20.05.2025 vendosi sekuestrimin e disa pasurive të lidhura me personat nën hetim, të përfshirë në veprimtari kriminale. Ky vendim është ekzekutuar më datë 21.05.2025.
Pas kësaj, Prokuroria e Posaçme vijoi hetimet intensive dhe zbuloi edhe pasuri të tjera të lidhura me subjektet nën hetim. Përmes vendimit nr.39 të datës 20.06.2025, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe vendosi sekuestrimin e tyre. Vendimi u zbatua nga hetuesit financiarë të Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit më datë 27.06.2025. Këto pasuri janë marrë nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.
Pasuritë e sekuestruara ndodhen në qytetin e Durrësit dhe përfshijnë:
Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 282.5 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 248 m2, e cila rezulton në pronësi të shtetasve E.Z. në ½ pjesë dhe K.J. në ½ pjesë (pasuri e lidhur me subjektin e procedimit pasuror E.Z.), me vendodhje në Durrës.
Pasuria e llojit ndërtesë, me sipërfaqe 257.63 m2, në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k (me ortak shtetasin N.SH., person i lidhur me subjektin e procedimit pasuror J.D.), Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 291 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 205 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës.
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k. Durrës;
Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe 257.63 m2 në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., Durrës;
Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m2, me adresë Rruga Plazh/10 Durrës e regjistruar ne emer te N. Sh.;
Pasuria me sipërfaqe 197 m2, lloji i pasurisë Njësi, ndodhur në Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror E.D. dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 135 m2, lloji i pasurisë Njësi, ndodhur në Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror E.D. dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria e llojit “bodrum”, me sipërfaqe totale 20 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror E.D. dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 70 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror E.D. dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 34 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror E.D. dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 29 m2, Durrës, në pronësi të subjektit të procedimit pasuror E.D. dhe personit të lidhur me të H.D. (bashkëshortja);
Pasuria me sipërfaqe 867.13 m2, nga të cilat 867.13 m2 truall dhe 300 m2 ndërtesë, ndodhur në Durrës, Currila;
Pasuria e llojit truall, ndodhur në Durrës, Currila, me sipërfaqe 500 m2, në pronësi të shtetasve B.D. dhe D.D., persona të lidhur (familjarë) me subjektin e procedimit pasuror E.D.;
Pasuria ndodhur në Durrës, Currila, e llojit truall me sipërfaqe 617.6 m2 nga të cilat ndërtesë 54.52 m2, në pronësi ta shtetasve B.D. dhe D.D., persona të lidhur (familjarë) me subjektin e procedimit pasuror E.D.;
Pasuria ndodhur në Durrës, Currila, e llojit truall me sipërfaqe 87 m2, dhe ndërtesë 52 m2, në pronësi të shtetasve B.D. dhe D.D., persona të lidhur (familjarë) me subjektin e procedimit pasuror E.D.;
Hetimet u kryen në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK, Prokurorisë së Barit, Drejtorisë së Antimafias, me mbështetjen e Eurojust.
Procedimi penal nr.36/2019 është regjistruar për veprat penale:“Trafikim i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a, 334 dhe 287 të Kodit Penal, janë evidentuar pasuri të cilët dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike.
Procedimi pasuror nr. 10/2025 u regjistrua me qëllim verifikimin e pasurive të subjekteve të procedimit penal dhe personave të lidhur me ta, në total 52 persona (30 në Shqipëri dhe 22 në Itali), të cilëve më parë u është caktuar masa e sigurimit personal në të dy vendet.
Pasuritë e sekuestruara vlerësohen përafërsisht në 12 milionë euro.
Hetimi pasuror lidhur me të gjithë subjektet vazhdon.
Lini një Përgjigje