TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2025, 19:30

Pas dështimit me Berishën, LaCivita rol kyç në garat për Senatin; ‘Latifi’, një nga këshilltarët më të lartë politikë të Trump

Shkruar nga Pamfleti

Pas dështimit me Berishën, LaCivita rol kyç në garat

Media amerikane shkruan se senatori i Teksasit, John Cornyn, ka angazhuar Chris LaCivita , një nga këshilltarët më të lartë politik të Presidentit Trump, për ta ndihmuar atë në zgjedhjet paraprake mes Republikanëve...

Chris LaCivita, strategu amerikan i zgjedhjeve, i cili bashkëdrejtoi fushatën presidenciale për rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, ka marrë një rol kyç në garën e brendshme të Republikanëve për kandidatët që do të garojnë në Senat.

LaCivita mori një vëmendje në politikën shqiptare kur u shfaq në krah të Sali Berishës, kreut demokrat, në fushatën për zgjedhjet e 11 majit. LaCivita u prezantua si drejtuesi i fushatës së demokratëve dhe aleatëve të tyre, ndërsa bashkë me të, u angazhuan edhe bashkëpunëtorë të tij, mes të cilëve edhe anketuesi, Tony Fabrizio. LaCivita nuk pati sukses në terrenin politik shqiptar, ndërsa Edi Rama, i cili mori mandatin e 4-rt si Kryeministër, nuk nguroi që ta pagëzonte me emrin ‘Latif’ duke e cilësuar atë si  ‘të fortin e lagjes’.

“Bufi ka sjellë, kush e di me sa para dhe kush e di nga i ka gjetur, edhe një Latif nga Amerika. Latifi, për të gjithë ne që jemi rritur në lagjet e Tiranës të kujton atë të fortin e lagjes që qullsi poshtë pallatit shkon dhe i thërret: “Hajde Latif se ata do të më rrahin””, ironizonte Edi Rama.

LaCivita nga 11 maji nuk u përfshi më me situatën politike në Shqipëri, por duket se ai dhe bashkëpunëtorë të tij, duken si shpresa e vetme që PD e Berishës ka lidhur me 11 majin.

Së fundmi media amerikane Axios shkruan se senatori i Teksasit, John Cornyn, ka angazhuar Chris LaCivita , një nga këshilltarët më të lartë politik të Presidentit Trump, për ta ndihmuar atë të mposhtë Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton, në zgjedhjet paraprake mes Republikanëve.

Përfshirja e LaCivitës duket se tregon se si Cornyn, po përpiqet të rreshtohet sa më afër me Presidentin Trump. Por një sondazh i kohëve të fundit i porositur nga Fondi i Lidershipit të Senatit, tregoi se Cornyn ishte dyfish më poshtë se Paxton.

Por edhe para se të dilte ai sondazh, Cornyn po bënte lëvizje për të forcuar besimin e tij të mirëfilltë ndaj Trump dhe mburrej me rekordin e tij prej 99% të votave me Trump. Ndërkohë, Paxton e akuzon Cornyn se është një Trumpist i rremë.

LaCivita po i bashkohet teksanëve për një shumicë konservatore, një super PAC që mbështet përpjekjen për rizgjedhje të Cornyn, ka mësuar Axios. Cornyn ka angazhuar gjithashtu Tony Fabrizio-n, një tjetër strateg të lartë të Trump-it, për të punuar në fushatën e tij.

Gara midis Cornyn dhe Paxton po merr formën e një ripërballjeje të betejës paraprake të vitit 2024 kur përballë Trump garonte guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.

Paxton ka angazhuar Axiom, një firmë të shquar konsulence republikane, për të udhëhequr fushatën e tij.

LaCivita po këshillon gjithashtu ish-përfaqësuesin e Michiganit, Mike Rogers, i cili po kandidon për Senat. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje