Një nga organizatorët e protestave qytetare, Arben Kola, është distancuar nga incidentet e ndodhura paraditen e sotme para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë tubimit të mbrëmjes para Kryeministrisë, Kola deklaroi se për 31 ditë me radhë protestat janë zhvilluar në mënyrë paqësore falë menaxhimit nga Grupi Koordinues, por shtoi se situata ka ndryshuar dhe se organizatorët nuk do të mbajnë më përgjegjësi për veprimet e protestuesve.
"Deri më sot populli ka protestuar në mënyrë paqësore. Ne nuk kemi qenë për dhunë. Prej sot populli duhet të protestojë në mënyrë të pavarur, ne nuk mbajmë më përgjegjësi. Nuk mbajmë përgjegjësi, sepse sot atyre u hyri tmerri kur panë koshin dhe në atë kosh kandidati i parë ishte Taulant Balla. Tao Balla, Balluku që është kandidate për burg, kryemafiozi Edi Rama... dhe i zuri tmerri", tha Kola.
Deklarata e tij vjen pas tensioneve të regjistruara paraditen e së dielës para ambienteve të Kuvendit, ku pati përplasje me policinë dhe disa protestues u shoqëruan në komisariat.
Protesta ka vijuar më pas normalisht para Kryeministrisë, ku qytetarët kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.
Lini një Përgjigje