TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2026, 20:47

"Patronazhistë, na e bëni hallall që iu thyem algoritmin!", protestuesi ironizon Ramën nga Kryeministria

Shkruar nga Pamfleti

"Patronazhistë, na e bëni hallall që iu thyem

Gazetari Marsel Rupi mori fjalën në protestën e 26-të qytetare para Kryeministrisë, ku mijëra tubues kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij, ai u shpreh se protesta nuk mund të ndalet, pavarësisht, sipas tij, përpjekjeve për ta zbehur atë.

Rupi iu drejtua fillimisht protestuesve dhe diasporës, ndërsa ironizoi edhe patronazhistët.

"Mirëmbrëma shqiptarë të lirë e të ndershëm. Mirëmbrëma patronazhistë dhe na e bëni hallall se jua thyem algoritmin. Nuk merrni dot 'like' dhe 'views' me gjithë kërcënimet, sepse nuk janë të blera", u shpreh ai.

Në vijim të fjalës së tij, gazetari komentoi rolin e diasporës në protestë, duke thënë se shqiptarët jashtë vendit do të rikthehen sërish për t'iu bashkuar tubimeve.

"Mirëmbrëma diaspora. Këta harrojnë që kur diaspora goditet, shqiptarët ngrihen në këmbë. Diaspora do të niset sërish dhe do të jetë këtu. Ata fluturojnë me shpirt këtu", deklaroi Rupi.

Gjithashtu, ai iu bëri thirrje qytetarëve që t'i bashkohen protestës, duke paralajmëruar për pasojat e emigrimit masiv.

"Nëse sot nuk dalim në rrugë, nuk do të kemi më mundësinë të shohim njeri majtas e djathtas, sepse nuk do të ketë mbetur më njeri, do të jenë larguar! Nesër më shumë! Rroftë Shqipëria e lirë dhe e ndershme", tha ai.

Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke përsëritur thirrjet për largimin e qeverisë dhe ndryshim politik.

Lini një Përgjigje