TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 22:42

PD sulmon Marta Kos: Po përsërit propagandën e Ramës për zonat e mbrojtura

Shkruar nga Pamfleti
PD sulmon Marta Kos: Po përsërit propagandën e Ramës
PD dhe Marta Kos

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Komisioneres për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Marta Kos, e cila u shpreh se qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama e kishin siguruar se projektet e planifikuara në zonat e mbrojtura janë në përputhje me rregullat dhe standardet europiane.

Në një deklaratë zyrtare, PD shprehet se qëndrimi i Komisioneres europiane mbështetet mbi informacione të pasakta të ofruara nga qeveria shqiptare dhe nuk pasqyron situatën reale në vend.

Lidhur me deklaratën e Komisioneres për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, zonjës Marta Kos, për krizën e rëndë që po kalon vendi ynë, Partia Demokratike shpreh shqetësimin dhe thekson se ajo është e bazuar në informacionet e rrejshme paraqitur nga miku i saj Edi, dhe jo në realitetin ekzistues në vend”, thuhet në reagimin e selisë blu.

Demokratët vlerësojnë se deklarata e Kos nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës politike dhe sociale që, sipas tyre, po përjeton Shqipëria, por përkundrazi i shërben interesave të qeverisë.

Ajo deklaratë injoron krizën e rëndë që ka mbërthyer Shqipërinë dhe i shërben Edi Ramës dhe jo zgjidhjes së krizës, përkundrazi e acaron dhe e thellon edhe më shumë”, vijon deklarata.

Partia Demokratike shpreh gjithashtu mbështetje për protestat qytetare që po zhvillohen kundër projekteve në zonat e mbrojtura dhe për kërkesat e ngritura nga protestuesit.

Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të protestuesve si kushte për zgjidhjen paqësore të krizës”, thekson PD.

Reagimi vjen në një kohë kur debati për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe projektet e zhvillimit turistik është kthyer në një nga temat më të diskutuara në raportet mes opozitës, qeverisë dhe institucioneve europiane.

pd marta kos

Lini një Përgjigje