Drejtuesja e BKH Aida Hajnaj ka refuzuar të dorëzojë aplikimin për rikandidim.
Sipas gazetarit Arsen Rusta, Hajnaj pretendon se i takon emërimi exoficcio, dhe nuk duhet të kalojë testin me 7 faza që i ka kërkuar nga SPAK.
Ju rikujtojmë se prej më shumë se një viti, komunikimi mes drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, dhe kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, është kufizuar vetëm në shkëmbimin formal të shkresave përmes sekretarive, e-maileve dhe postës zyrtare.
“Njoftimi për të aplikuar për kreun e BKH qëndroi për 10 ditë, 7 maji ishte afati i fundit. Por të drejtën për të aplikuar e kishte vetëm Aida Hajnaj, drejtuesja aktuale e BKH. MCN Live ka mundur të mësojë se znj. Hajnaj pretendon se ligji i njeh të drejtën për t’u emëruar në mandat të dytë exofficio, pa kaluar në një test prej 7 fazash. Ajo ka kërkuar të drejtën për të vazhduar mandatin në 5 vitet e ardhshme, fillimisht në KLP, ku kërkesa iu refuzua.
Më pas ishte SPAK që përmes një komisioni të përbërë nga tre prokurorët Dumani, Kraja, Dibra, hapën garën duke i dhënë drejtën për të riaplikuar. Por afati 7 maj ka përfunduar. SPAK thotë se ajo duhet të kalonte në 7 faza, por znj.Hajnaj ka refuzuar, duke pretenduar se riemërimi sipas ligjit i takon exofficio, pasi e ka kaluar më herët këtë test dhe është në detyrë.
A do të rikandidojë në garën që pritet të rihapet, kjo mbetet për t’u parë, por në 31 gusht përfundon mandati i saj, dhe me sa duket s'do ta ketë një mandat të dytë, pasi hapja e garës sërish nga SPAK, do jetë një thirrje për të gjithë të interesuarit dhe jo vetëm për znj. Hajnaj, siç ishte kjo garë. Kjo e thellon akullin mes dy institucioneve, ku komunikimi është thjesht shkresor”, thotë Rusta.
Lini një Përgjigje