TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Janar 2026, 15:45

Priten reshje intensive në Vlorë, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla

Shkruar nga Pamfleti

Priten reshje intensive në Vlorë, pezullohet lundrimi i mjeteve

Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) njoftoi se sot pasdite dhe nesër në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.

Në qarqet e tjera reshjet priten mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në veri, lindje dhe juglindje në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore deri shumë e fortë. Nesër era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Ndërkohë, për shkak të motit të keq Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar pajisjen me leje nisjeje të mjeteve të vogla lundruese dhe të atyre të peshkimit për 24 orë, të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur sot dhe nesër.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kapiteneria e Vlorës kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar të parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë më 29 janar mbas orës 06:00.

Lini një Përgjigje