TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Maj 2025, 20:27

Prokuroria e Posaçme vijon goditjen e krimit zgjedhor/ Pas Kavajës, SPAK dhe BKH zbarkojnë në Elbasan!

Shkruar nga Pamfleti

Prokuroria e Posaçme vijon goditjen e krimit zgjedhor/ Pas Kavajës,

Dyshohet se ky aksion mund të ketë lidhje me rastin e kandidates më të votuar socialiste në qarkun e Elbasanit, Sara Mile!

SPAK vijon goditjen ndaj krimeve zgjedhore të regjistruara gjatë fushatës elektorale. Pas aksionit të djeshëm në Kavajë ku u sekuestrua celulari i ish-kryebashkiakut, Elvis Roshi, si dhe u ushtruan kontrolle në disa banesa, SPAK sot ka zbarkuar në qytetin e Elbasanit.

Aktualisht mësohet se një njësi e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka mbërritur në qytetin e Elbasanit, me mbështetjen e Policisë së Qarkut ku kanë kryer kontrolle në një biznesi privat, në një lokal dhe në tre banesa.

Ende nuk dihet se kush janë personat që po targetohet nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Hetimi ndaj këtij rasti ka nisur disa ditë para zhvillimit të procesit të zgjedhjeve të 11 Majit, ndërsa kontrollet po kryhen 7 ditë pasi procesi i votimit dhe numërimit është mbyllur në këtë qark, ku fituese me 10 mandate deputeti doli Partia Socialiste. Mësohet se nga hetimi i SPAK gjatë ditës së sotme janë sekuestruar aparate telefonike, pajisje DVR dhe material të ndryshme.

Dyshohet se ky aksion mund të ketë lidhje me rastin e kandidates më të votuar socialiste në qarkun e Elbasanit, Sara Mile, e cila ka dyshime se ka sponsorë nga krimi i organizuar, konkretisht nga grupi i Suel Çelës.

Lidhjet e saj me grupet kriminale janë raportuar në media javë para ditës së zgjedhjeve, ndërkohë që pas numërimit të votave, dyshimet u shtuan edhe më shumë për ndikim të krimit, për shkak të numrit të madhe të votave preferenciale që ajo kishte marrë edhe pse nuk ishte një figurë e njohur.

Megjithatë, situata e kontrolleve të SPAK në Elbasan mbetet ende e paqartë dhe pritet të kemi një njoftim nga ana e Prokurorisë së Posaçme lidhur me rastin.

Lini një Përgjigje