
Kuvendi pritet të mblidhet sot në orën 12:00 në seancë plenare, ku në fokus do të jenë shqyrtimi i raporteve vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.
Paralelisht me zhvillimin e seancës, protestues kanë paralajmëruar një tubim para godinës së Kuvendit. Një grup prej tyre ka nisur të grumbullohet në zonë, ndërsa janë parë të pajisur edhe me vezë. Në to kanë shënuar edhe emrat e tyre.

Në krye të rendit të ditës është raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025. Më pas, një pjesë e konsiderueshme e seancës do t'i kushtohet diskutimit dhe miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe të drejtësisë.

Mes institucioneve, raportet e të cilave do të shqyrtohen, janë Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), Prokuroria e Përgjithshme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD).
Ndërkohë, një orë para nisjes së seancës, Partia Demokratike do të zhvillojë një mbledhje për të vendosur nëse do të vijojë bojkotin e punimeve parlamentare apo do të rikthehet në sallën e Kuvendit.
Lini një Përgjigje