Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në zonën e Iballes, në Fushë-Arrëz, mbi lagjen Gere, duke rrezikuar një pjesë të ekonomisë pyjore Iballe-Mëzi.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, zjarrfikësit e Fushë-Arrëzit nuk kanë mundur të ndërhyjnë pranë vatrës së zjarrit dhe janë stacionuar në qendër të Njësisë Administrative. Ndërkohë, gjatë gjithë natës, banorët e zonës dhe punonjësit e shërbimit pyjor kanë punuar me mjete rrethanore për të kufizuar përhapjen e flakëve.
Me përhapjen e zjarrit në një sipërfaqe të gjerë, është kërkuar ndërhyrja me helikopter nga Forcat e Armatosura. Ekipet po punojnë për ruajtjen e perimetrit të zjarrit, me synimin për ta vënë situatën nën kontroll.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në një zonë me shkurre, ndërsa dyshimet e para janë se ai mund të jetë shkaktuar nga zjarrvënie e qëllimshme. Rrethanat e ngjarjes pritet të sqarohen nga hetimet e autoriteteve kompetente.

Lini një Përgjigje