
Mes zërave që morën fjalën në protestën e sotme ishte edhe një student shqiptar nga Gjermania, i cili kërkoi një qasje të re ndaj politikës dhe institucioneve në vend.
Në fjalën e tij, ai kërkoi që procesi i vettingut të shtrihet tek të gjithë politikanët që janë lakuar ndër vite për lidhje me korrupsionin apo krimin, pa dallime mes së majtës dhe së djathtës.
“Vetting për të gjithë politikanët e lakuar si të lidhur me korrupsionin dhe krimin, nga e majta dhe e djathta”, u shpreh ai.
Studenti kërkoi gjithashtu krijimin e një qeverie teknike, duke argumentuar se vendi ka nevojë për një model të ri drejtimi, të shkëputur nga interesat e partive politike.
Sipas tij, qeverisja duhet t’u besohet njerëzve të arsimuar dhe profesionistëve, ndërsa rol më të madh duhet të ketë edhe diaspora shqiptare.
Ai theksoi se shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe duhet të përfshihen më shumë në proceset vendimmarrëse.
Deklaratat u pritën me duartrokitje nga protestuesit, ndërsa kërkesa për largimin e klasës aktuale politike dhe ndërtimin e një alternative të re vijon të jetë një nga mesazhet kryesore që po artikulohen në protestat e ditëve të fundit.
Lini një Përgjigje