TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Qershor 2026, 20:40

Protestuesja godet PS-në: Po festojnë 35-vjetorin e ish-Partisë së Punës

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesja godet PS-në: Po festojnë 35-vjetorin e ish-Partisë
Pamje nga protesta

Protesta e mbrëmjes së sotme para Kryeministrisë ka vijuar për më shumë se dy orë, ndërsa qytetarë të ndryshëm janë ngjitur në podium për të ndarë mesazhet dhe kritikat e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Një nga fjalimet që tërhoqi vëmendje ishte ai i një protestueseje, e cila iu referua aktivitetit të Partisë Socialiste, të zhvilluar vetëm pak metra larg në Sheshin “Italia”, si vazhdimësi e frymës së ish-Partisë së Punës.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me vendime të caktuara të qeverisë, por me mënyrën se si qytetarët janë trajtuar ndër vite nga pushteti.

Këto janë ditë të bukura dhe emocionuese, ka domethënie historike për të gjithë ne. Ajo që nuk ka shkuar që prej fillimit nuk është vetëm një vendim apo një projekt, por mënyra si u trajtuan shqiptarët dhe hapat e ndjekur nga qeveritarët. Ish-Partia e Punës, që sot feston 35-vjetorin, qëkur ka ndryshuar emrin, ka vazhduar me të njëjtën mendësi pushteti dhe me të njëjtën mënyrë sjelljeje ndaj qytetarëve”, deklaroi ajo.

Protestuesja akuzoi socialistët se kanë humbur lidhjen me realitetin e qytetarëve dhe se vazhdojnë të mbështesin pushtetin pavarësisht skandaleve dhe akuzave që rëndojnë mbi të.

Kanë mashtruar qytetarët dhe kanë rikthyer forma të reja varësie. Socialistët qajnë për diçka që nuk e meritojnë. Socialistët mirëbesojnë hajdutin. Kjo është tragjedia e madhe e këtij vendi, që njerëzit vazhdojnë të mbrojnë ata që i kanë zhgënjyer për vite me radhë”, u shpreh ajo.

Në vijim të fjalës së saj, qytetarja hodhi akuza edhe ndaj mënyrës se si, sipas saj, ushtrohet presion mbi individët që shprehin mendime kritike ndaj pushtetit.

Nuk njohin as SPAK-un, as ligjin, nuk kanë asnjë frikë. I vetmi mjet që përdorin është presioni psikologjik ndaj çdo qytetari që shpreh edhe shqetësimin më të vogël. Kjo është ajo që kemi parë prej vitesh dhe ajo që duhet të marrë fund”, deklaroi protestuesja.

Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, ndërsa tubimi para Kryeministrisë vijon me fjalime të tjera dhe me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

protesta

1 Komente

  1. c
    cimi

    Po festojne 35 vjetorin e dyte. Se i pari u be para 10 ditesh te pallati kongreseve. Antimiting i paster.

    Lini një Përgjigje