Qeveria italiane është vënë në alarm mbi kostot e paktit për refugjatët...
Kryeministrja Giorgia Meloni ka qenë shumë e shqetësuar për kostot e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e azilkërkuesve në Shëngjin dhe Gjadër. Frika e saj më e madhe ka qenë se kostot do të rriteshin shumë dhe qeveria do ta kishte të vështirë t'ia shpjegonte këtë opinionit publik italian, veçanërisht duke pasur parasysh vështirësinë e zbatimit të protokollit të nënshkruar në fillim të nëntorit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Për këtë arsye, ajo i kërkoi Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe nënsekretarit të saj në Kryesinë e Këshillit, Alfredo Mantovano, të punonin për uljen e kostove. Por nuk ia doli: në fund projektligji i ratifikuar dje nga Këshilli i Ministrave parashikon një kosto totale rreth 200 milionë euro.
Kjo është shifra e përllogaritur, sipas dy burimeve brenda qeverisë. Drafti në letër parashikon vetëm kosto rreth 90 milionë euro, ndërkohë që shpenzimet totale vjetore janë “fshehur” dhe deri në mbrëmjen e djeshme zyrat legjislative të Palazzo Chigi ishte ende duke i shqyrtuar, para dërgimit të tekstit në Ministrinë e Ekonomisë.
Fakti mbetet se askush në qeveri nuk donte të ekspozohej publikisht pas miratimit të projektligjit. As kryeministri dhe as ministrat kompetentë - Matteo Piantedosi (i Brendshëm), Antonio Tajani (i Jashtëm), Carlo Nordio ( i Drejtësisë), nuk donin të paraqisnin të dhënat në konferencën për shtyp.
Projektligji u paraqit në Këshillin e Ministrave nga Tajani, Mantovano dhe Piantedosi dhe përbëhet nga 7 nene që rregullojnë juridiksionin dhe dispozitat organizative për zbatimin e protokollit. Autoritetet referente do të jenë Prefektura dhe Selia e Policisë së Romës dhe juridiksioni do të jetë italian, duke krijuar një lloj juridiksioni ekstraterritorial të prokurorisë së Romës për apelimet e emigrantëve.
Projektligji përcakton se vetëm emigrantët e “kapur” në ujërat jashtë BE-së mund të sillen në Shqipëri. Ajo që është befasuese, megjithatë, janë kostot e tepruara të operacionit. Dekreti parashikon shpenzime prej rreth 60 milionë euro në vit vetëm për vitin 2024, të cilat do të arrijnë në rreth 90 në pesë vitet e ardhshme.
Por ka disa kosto që nuk janë treguar në projektligj - si rimbursimi i shpenzimeve për avokatët që nuk mund të zhvillojnë seancat në distancë, duke përfshirë kostot që duhet t'i paguhen Shqipërisë për marrëveshjen dhe atë për anijet për transportin e emigrantëve. Në total ato shkojnë në rreth 200 milionë euro. Në vlerë absolute shumë herë më e lartë, krahasuar me 19 milionë euro që janë shpenzuar për kampet e reja që do të ndërtohen në Itali në vitin 2024. /Përshtati “Pamfleti” nga “Dago Spia”
Lini një Përgjigje