Aktualitet28 Shkurt 2023, 17:21

Pse SPAK nuk heton “21 Janarin”? Altin Dumani reagon për herë të parë, letër familjarëve të Aleks Nikës

Shkruar nga Pamfleti

Pse SPAK nuk heton “21 Janarin”? Altin Dumani reagon për

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka reaguar për herë të parë  për kalimin e dosjes së “21 Janarit” në Prokurorinë e Tiranës.

Familjarët e Aleks Nikës bënë një padi të re ndaj Berishës dhe Ndrea Prendit, pasi dolën në pah përgjimet mbi komunikimet e gardistëve, por dosja kaloi për kompetencë te prokuroria e rrethit.

Dumani, në një shkresë dërguar familjarëve të Aleks Nikës, në cilësinë e paditësve, ka dhënë argumentet se përse kjo dosje nuk mund të hetohet nga SPAK. Sipas tij, dosja momentalisht po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe nga të dhënat e siguruara prej saj, deri më tani nuk ka nën hetim zyrtarë të lartë që janë në kompetencë të SPAK. Por ai shprehet se në momentin që do të vërtetohet se ka zyrtarë të tillë, atëherë dosja do të merret në dorëzim prej tyre.

“Nga verifikimi i bërë në sektorin e Protokoll/ Arkivës të kësaj prokuroria, evidentohet se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka regjistruar procedimin penal  nr.285 datë 21.01.2011, që bën fjalë për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", parashikuar nga neni 79 germa "dh", "e" të Kodit Penal, për të cilin më datë 02.04.2021 kanë rifilluar hetimet e pezulluara, me qëllim identifikimin e autorëve të vrasjes së shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. Nga shkresa në fjalë rezulton se në lidhje me këtë procedim penal, nuk kishte të regjistruar emra të personave që u atribuohej vepra penale.  Nga përmbajtja e materialit kallëzues dhe verifikimi i kryer (pavarësisht se kallëzimi penal është depozituar në Prokurorinë e Posaçme duke u kallëzuar subjekte të posaçëm për kryerje veprash penale në kuadër të një organizate kriminale) evidentohet e dhëna se, në lidhje me objektin e kallëzimit dhe faktet e pretenduara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.285/2011, për vepra penale që nuk janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme. Gjithashtu deri në këto momente të hetimit që po kryhet nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nuk rezulton të jenë identifikuar autorë të veprës penale dhe si rrjedhin nuk është arritur të provohet se autorë mund të jenë subjekte të posaçëm, sipas përcaktimeve të nenit nenit 75/a, të Kodit të Procedurës Penale, dhe nenit 3 të Ligjit nr. 95/2016 "Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar", thuhet në letër.

Më tej Dumani bën me dije se do jetë në kontakt me Prokurorinë e Tiranës dhe nëse do të dalin emra në nivele ta larta, pritet transferimi i dosjes. Pra duket se tani topi është te Prokuroria e Tiranës.

“Për këtë arsye, referuar nenit 75/a, 76 dhe 28 te K.Pr.Penale ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzues me nr. K.137 prot., date 16.02.2023, me qëllim vlerësimi nga ana juaj. Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përfundim të letrës së Altin Dumanit.

Dalja e përgjimeve dhe padia e re rriti shpresat se SPAK do e zbardhet “21 Janarin”, por dosja e u refuzua. Familjarët kërkojnë që të ndëshkohet Sali Berisha, por deri më tani duket se është jashtë optikës së SPAK për këtë dosje./Pamfleti

Pse SPAK nuk heton “21 Janarin”? Altin Dumani reagon për

Pse SPAK nuk heton “21 Janarin”? Altin Dumani reagon për

Pse SPAK nuk heton “21 Janarin”? Altin Dumani reagon për

spak dumani 21 janari