
Akademiku Artan Fuga është përplasur sot ashpër me Akademinë e Shkencave. Për pak javë mbahen zgjedhjet për kreun e ri të Akademinë dhe Fuga ka vendosur të garojë përballë kreut aktual Skënder Gjinushi. Por kjo gjë nuk është pritur mirë nga ky i fundit, i cili ka nxjerrë institucionin të sulmojë Fugën. Në një sqarim të gjatë në Facebook, Akademia e Shkencave deklaroi se një propozim i tij për lobimet jashtë-institucionale është dhunë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH.
“Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta. Ligji i ri është produkt i vetë Asamblesë së Akademisë së Shkencave (vetëm me një votë kundër), i hartuar nëpërmjet një procesi publik mbi njëvjeçar, në bashkëpunim me institucione prestigjioze si ALLEA (All European Academies) e Akademia “Leopoldina” e Gjermanisë dhe e miratuar nga Kuvendi në sajë të kontributit të deputetëve, shumicës së tyre, të cilët e votuan me bindjen e plotë se ky ligj do të ishte baza e ndryshimit të shumëpritur, dhe arritjet e gjithanshme, në këto 3 vjet, të vlerësuara nga tërë institucionet bashkëpunuese me Akademinë e Shkencave, e dëshmojnë këtë pritshmëri”, shprehet kryesia e Akademisë.
Fuga kritikonte deputetët e mazhorancës, të cilët falë ndryshimeve ligjore i mundësuan Gjinushit që të kandidojë sa herë të dojë.
“Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë. Ligji i ri e Statuti i dalë në zbatim të tij garanton kandidimin e lirë të çdo anëtari të Asamblesë dhe zgjedhjen e akademikëve të rinj e të organeve drejtuese prej vetë Asamblesë e jo prej komisioneve qeveritare, siç do të impononte “modeli” i platformës. Për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk ka pasur në asnjë rast ankesë për shkelje procedure, deformim vote a moslejim kandidimi, përveç virtualisht nga anëtari i vetëm që s’merr pjesë në votim”, shprehet akademia.
Por nuk ka munguar as reagimi i Artan Fugës. Ai ka thënë se do nxjerrë fakte se si deputetët janë përfshirë në këtë çështje, teksa paralajmëroi dhe zyrtarizmin e kandidaturës.
“Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një tekst akademikësh ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta kur jam shprehur se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi.
Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Pa merak.
Nesër do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë mua matematikisht, pra si një edhe një që bëjnë dy, jo tre!
Nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, fyerje, etj., unë nuk di si mund të shërbej për ta korrektuar këtë epistemologji.
Me vjen keq që Kryesia e Akademisë humbet kohën kot sepse asnjë ofendim nuk kam bërë për asnjë deputet në deklaratën publike që shpreh projektin tim të mundësisë për të kandiduar. Dhe sa më shumë nga të tilla reagime lincuese, me të cilat jam mësuar, aq më shumë rritet vendosmëria për të kandiduar! I falenderoj që nuk ma heqin këtë të drejtë. Pse shqetësohen? Sigurisht që kundërshtimi im si qytetar dhe akademik kundër këtij ndryshimi ligjor është e drejta ime që nuk e heq dot as Zoti jo më kryesia e Akademisë së Shkencave, megjithë konsideratat e mia të larta për të! Por si fillim pyes : a gënjen Artan Fuga apo media dhe shkresat për faktin e relatuar? Publiku mund ta shohë! Lutem të ruhet edukata dhe etika e ligjërimit”, tha Fuga.
Lini një Përgjigje