TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Shtator 2025, 16:23

Pse u anulua mbërritja e anijes komandë të SHBA dhe si u la jashtë protokollit Edi Rama

Shkruar nga Pamfleti
Pse u anulua mbërritja e anijes komandë të SHBA dhe si u la
USS Mount Whitney

Anija “Mount Whitney” zbarkoi në Mal të Zi me ceremoni të plotë, por shmangu Shqipërinë. Në listën protokollare mungonte Edi Rama...

Një lëvizje që ka ngjallur shumë pikëpyetje ndodhi këtë javë në Shqipëri. Pritej që më 6 shtator, anija komandë e Flotës së 6-të të SHBA, “USS Mount Whitney”, të mbërrinte në Durrës dhe të ankorohej në Porto Romano, por vizita u anulua në mënyrë të papritur.

Jo vetëm kaq, por edhe një koncert i planifikuar nga Ambasada Amerikane në Durrës u anulua pak para zhvillimit, pa asnjë arsye zyrtare.

Ndërkohë, ajo që bie në sy është mungesa e kryeministrit Edi Rama në listën protokollare të pritjes që ishte përgatitur. Në bord do të ngjiteshin Presidenti Bajram Begaj, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Shefi i Shtabit të FA dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Rama, që zakonisht nuk lë pa shfrytëzuar asnjë rast me flamur amerikan për foto e propagandë, kësaj radhe nuk ishte në skenë. I lanë jashtë.

Krahasimi me Malin e Zi është goditës. Në datën 2 shtator, “Mount Whitney” mbërriti në portin e Barit me një agjendë të qartë; pritje zyrtare, aktivitete sociale, koncerte, madje edhe ndeshje basketbolli me komunitetin. Ambasadorja amerikane në Podgoricë, shefi i ushtrisë dhe komandanti i marinës malazeze ishin në krah të Kapitenit Colin Price. Në deklaratën zyrtare, SHBA theksoi partneritetin e fortë me Malin e Zi dhe angazhimin për sigurinë rajonale.

Nëse e krahasojmë këtë me heshtjen dhe anulimet në Shqipëri, përfshirë përjashtimin protokollar të Ramës, ngrihen dyshime serioze nëse kemi të bëjmë me një sinjal diplomatik. A është kjo një formë ftohjeje ndaj qeverisë shqiptare? Apo një mënyrë e matur amerikane për të diferencuar institucionet shqiptare, si Presidenca dhe Forcat e Armatosura, nga qeveria aktuale e mbuluar me skandale dhe afera?

Fakti që anija amerikane nuk zbarkoi në Shqipëri, por e zhvilloi me bujë vizitën në Mal të Zi, nuk mund të shihet si thjesht një ndryshim teknik. Në gjuhën e diplomacisë ushtarake, mungesa flet po aq sa prania. Dhe në këtë rast, SHBA duket se e tha fjalën e saj pa fjalë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje