Hetimet e FBI-së ndaj presidentit të Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Klaudio Tapia, dhe drejtuesve të institucionit kanë sjellë zhvillime të reja. Sipas raportimeve të mediave amerikane dhe argjentinase, gjatë hetimeve janë zbuluar katër apartamente të blera nga Havier Faroni dhe bashkëshortja e tij Erika Xhilet, me një vlerë totale prej rreth 11 milionë dollarësh.
Dyshimi i autoriteteve federale amerikane është se këto investime në pasuri të paluajtshme mund të jenë të lidhura me fondet prej rreth 300 milionë dollarësh, të cilat dyshohet se janë zhdukur nga arkat e futbollit argjentinas. Sipas hetuesve, një pjesë e këtyre parave mund të jetë transferuar drejt Shteteve të Bashkuara përmes kompanisë TourProdEnter LLC, në pronësi të Faroni.
Lajmi është publikuar nga gazeta amerikane Miami Herald dhe e përditshmja argjentinase El Clarín, ndërsa më herët edhe La Nación kishte raportuar për hetimet e nisura nga FBI ndaj disa prej drejtuesve më të lartë të AFA-së, përfshirë Klaudio Tapian dhe përgjegjësin e thesarit të federatës, Pablo Tovixhino.
Sipas raportimeve, Tovixhino kishte siguruar një masë ligjore për të penguar gazetarin Nikolas Pici të publikonte detaje mbi çështjen, pasi ky i fundit kishte raportuar për hetimet.
Operacioni i FBI-së vijon ende dhe pritet të sjellë zhvillime të tjera në javët e ardhshme, ndërsa autoritetet amerikane po vijojnë të hetojnë lëvizjet financiare dhe transaksionet e dyshuara.
Lini një Përgjigje