Pas kabllogramit të dërguar Ambasadës së SHBA në Tiranë, Sekretari amerikan i Shtetit njofton politikë të re që ndalon hyrjen në SHBA të personave të lidhur me grupet e ekstremit të majtë dhe aktivitetet e tyre
Administrata amerikane ka shpallur një politikë të re për kufizimin e vizave ndaj personave të lidhur me grupet e ekstremit të majtë, disa javë pasi Departamenti i Shtetit u kërkoi mbi 20 ambasadave amerikane, përfshirë Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, të mbledhin informacion mbi aktivitetin e këtyre grupeve në vendet ku janë të akredituara.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se grupet terroriste të ekstremit të majtë dhe organizatat e lidhura me to përdorin rrjete të organizuara për të ushtruar dhunë si mjet politik, me synim frikësimin e kundërshtarëve dhe minimin e institucioneve demokratike.
Sipas Rubios, këto grupe përdorin bombardime, atentate dhe forma të tjera terrorizmi për të kufizuar lirinë e shprehjes, për të ndikuar në vendimmarrjen politike dhe për të sabotuar proceset demokratike.
Në këtë kuadër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur një politikë të re kufizimi vizash, e cila do të zbatohet ndaj anëtarëve të grupeve terroriste të ekstremit të majtë dhe organizatave të lidhura me to.
Sipas deklaratës, masat do të prekin shtetasit e huaj që kanë mbështetur ose nxitur akte terroriste, kanë mbështetur veprimtari kriminale me dhunë, kanë marrë pjesë në sabotim ekonomik, kanë financuar, rekrutuar ose ofruar mbështetje logjistike për veprime të dhunshme apo kriminale, si edhe kanë lehtësuar bashkëpunimin mes rrjeteve të ekstremit të majtë për kryerjen e akteve të dhunshme.
Rubio tha se politika synon të mbrojë Shtetet e Bashkuara duke mbyllur rrugët e hyrjes për personat që financojnë, rekrutojnë ose mbështesin këto rrjete.
"Kjo politikë do të mbrojë territorin amerikan duke kufizuar hyrjen e shtetasve të huaj që financojnë, rekrutojnë, nxisin ose në forma të tjera mbështesin rrjetet terroriste të ekstremit të majtë, duke mbyllur rrugët e vizave që këto grupe shfrytëzojnë për të kërcënuar jetën e amerikanëve, për të minuar stabilitetin ekonomik dhe për të koordinuar veprime të dhunshme në territorin e SHBA-së", deklaroi Rubio.
Njoftimi vjen pas kabllogramit diplomatik të raportuar më herët nga The Washington Post, sipas të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit u kishte kërkuar më shumë se 20 ambasadave amerikane, mes tyre edhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, të mbledhin informacion mbi grupet e ekstremit të majtë që veprojnë në vendet ku janë të akredituara, si pjesë e strategjisë së administratës Trump kundër asaj që e cilëson si "ringjallje të terrorizmit transnacional të ekstremit të majtë".
Politika e re e vizave zbatohet në bazë të nenit 212(a)(3)(C) të Ligjit amerikan për Emigracionin dhe Shtetësinë, i cili i jep Departamentit të Shtetit kompetencën të kufizojë hyrjen në SHBA të shtetasve të huaj kur prania e tyre konsiderohet se mund të ketë pasoja të dëmshme për politikën e jashtme ose interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Lini një Përgjigje