Rifillimi i bombardimeve tregon se presidenti amerikan e ka futur SHBA-në në një konflikt pa fund dhe ekonominë globale në një krizë të re.
I paaftë dhe pa një strategji të qartë, Donald Trump, sipas autorit, ndodhet i bllokuar në konfliktin me Iranin, pa gjetur një rrugëdalje nga lufta që ai vetë nisi. Ushtria amerikane ka rifilluar bombardimet ndaj Iranit, duke goditur gjithnjë e më shumë edhe infrastrukturën civile. Autori argumenton se këto sulme, në vend që ta dobësojnë regjimin iranian, vetëm sa forcojnë qëndrueshmërinë e tij, pavarësisht kostos së rëndë që paguan popullsia.
Sipas autorit, deklaratat e përsëritura të Trumpit dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për fitore të mëdha nuk përputhen me realitetin në terren. Edhe pse presidenti pretendon se SHBA-ja po "fiton bindshëm", autori thekson se pak kush e beson këtë, ndërsa bota po sheh me skepticizëm paaftësinë amerikane për të arritur objektivat e shpallura.
Autori shkruan se kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, e cila sipas tij është mbyllur si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit, është tashmë objektivi kryesor i Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë, synimet më ambicioze të SHBA-së dhe Izraelit eliminimi i programit bërthamor iranian, dobësimi i milicive aleate të Teheranit dhe ndryshimi i regjimit duken më të paarritshme se kurrë.
Sipas tij, nëse Irani do të ishte vërtet kërcënimi ekzistencial që përshkruan Trump, atëherë logjika do të çonte drejt një pushtimi të plotë ushtarak. Autori sjell si krahasim vendimin e ish-presidentit George W. Bush për pushtimin e Irakut në vitin 2003, duke pranuar se ai ishte një gabim katastrofik, por duke argumentuar se të paktën Bush ishte i gatshëm të merrte përgjegjësinë për vendimin e tij.
Autori vijon se Trump nuk guxon të ndërmarrë një operacion të ngjashëm kundër Iranit, por njëkohësisht nuk pranon se ka gabuar duke hyrë në një konflikt që nuk mund ta përfundojë. Në vend të kësaj, sipas tij, presidenti amerikan po e ekspozon popullsinë civile dhe trupat amerikane ndaj një lufte të gjatë konsumimi, po rrezikon aleatët arabë në Gjirin Persik, po dëmton ekonominë globale dhe po dobëson rendin ndërkombëtar, vetëm për të shmangur pranimin e gabimit dhe rikthimin në negociata diplomatike.
Në këtë këndvështrim, autori arrin në përfundimin se "vetëdashuria e Trumpit, dhe jo Irani, është armiku kryesor i botës", duke e cilësuar atë si "një armë e vetme e shkatërrimit në masë".
Ai argumenton se modeli është i njohur: Trump, sipas tij, hyri në luftë pa konsultuar Kongresin, aleatët amerikanë apo opinionin publik, pa një strategji afatgjatë dhe duke u mbështetur në premtime optimiste për një fitore të shpejtë. Autori pretendon se presidenti amerikan u befasua nga kundërpërgjigjja iraniane ndaj bazave amerikane në rajon, megjithëse, sipas tij, një reagim i tillë ishte i pritshëm.
Më tej, autori e zgjeron kritikën edhe ndaj politikës së Trumpit në Lindjen e Mesme. Ai kujton planin prej 20 pikash për paqen në Gaza, të prezantuar një vit më parë, duke argumentuar se asnjë nga elementët kryesorë të tij rindërtimi, krijimi i një force ndërkombëtare stabilizuese apo çmilitarizimi nuk është realizuar. Ndërkohë, sipas autorit, luftimet vazhdojnë dhe kriza humanitare mbetet e pazgjidhur.
Një kritikë e ngjashme, sipas tij, vlen edhe për qasjen e Trumpit ndaj luftës në Ukrainë. Autori pretendon se presidenti amerikan nuk u mor me shkaqet e konfliktit apo me motivet e presidentit rus Vladimir Putin, por u përpoq të ushtronte presion mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të pranuar një kompromis të njëanshëm. Kur kjo nuk ndodhi, shkruan autori, Trump e reduktoi mbështetjen ndaj Kievit, ndërsa vazhdoi të kërkojë marrëdhënie më të mira me Moskën.
Autori ndalet edhe te memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në qershor, i cili parashikonte ngrirjen e konfliktit për 60 ditë gjatë zhvillimit të negociatave. Sipas tij, Trump e paraqiti këtë marrëveshje si një sukses personal, por ajo rezultoi e paqëndrueshme. Autori pretendon se një nga nenet e saj dukej se pranonte de facto kontrollin iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, gjë që, sipas tij, e ka bërë Teheranin edhe më mosbesues ndaj presidentit amerikan.
Në vijim, autori argumenton se pasojat e konfliktit po bëhen gjithnjë e më të rënda. Ai krahason Trumpin me një person që përsërit të njëjtin veprim duke pritur një rezultat ndryshe, duke theksuar se bombardimet e vazhdueshme nuk kanë arritur të ndryshojnë qëndrimin e regjimit iranian, por vetëm kanë shtuar intensitetin e konfliktit dhe kanë larguar perspektivën për një zgjidhje diplomatike të çështjes bërthamore.
Sipas autorit, vendimet e fundit të Trumpit përfshirë propozimin për vendosjen e tarifave detare në Ngushticën e Hormuzit dhe tërheqjen nga kjo ide vetëm një ditë më vonë, si edhe sulmet ndaj infrastrukturës civile tregojnë mungesë të një strategjie të qartë. Ai paralajmëron se një bllokadë e Detit të Kuq nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani do të kishte pasoja të rënda ekonomike në shkallë globale.
Autori shton se aleatët evropianë po e ndjekin me shqetësim situatën, ndërsa tregjet financiare reagojnë me pasiguri dhe çmimet e naftës vijojnë të rriten. Sipas tij, çdo raketë e re e lëshuar dëmton më tej reputacionin dhe ndikimin ndërkombëtar të SHBA-së.
Në fund, autori ngre pyetjen se kush mund ta ndalë Trumpin. Ai shkruan se Kongresi i ka kërkuar presidentit të ndërpresë luftën ose të kërkojë autorizimin zyrtar, por sipas tij kjo kërkesë është shpërfillur. Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve kundërshtojnë vazhdimin e konfliktit, ndërsa aleatët hezitojnë ta sfidojnë hapur nga frika e përçarjes së marrëdhënieve.
Autori argumenton se Rusia dhe Kina janë përfituesit kryesorë të kësaj situate. Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin përfiton nga përqendrimi i burimeve amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping po vëzhgon me kujdes zhvillimet, duke rritur ndikimin ekonomik dhe diplomatik të Kinës dhe duke krijuar mundësi për përfitime të ardhshme strategjike.
Në përfundim, autori e konsideron këtë një problem që duhet ta zgjidhin vetë qytetarët amerikanë, të cilët, sipas tij, zgjodhën Trumpin në krye të vendit. Duke iu referuar frymës së Deklaratës së Pavarësisë amerikane të vitit 1776, ai shkruan se Trump nuk e ka bërë Amerikën "më të madhe", por më të vogël, më të izoluar dhe më të përçarë. Për këtë arsye, ai përfundon se bota ka nevojë për një "deklaratë të re pavarësie nga Trumpi"./Përshtatur nga "The Guardian"
Lini një Përgjigje