
Kanadaja po përballet me një valë të re zjarresh pyjore, me mbi 200 vatra që vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Situata më kritike paraqitet në provincën Ontario, ndërsa tymi i dendur i flakëve është përhapur deri në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke prekur miliona banorë.
Sipas Qendrës Kanadeze Ndëragjenciale të Zjarreve Pyjore (CIFFC), nga 896 zjarre aktive në të gjithë vendin, 206 mbeten ende të pakontrolluara. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 70 vatra të reja.
Edhe pse sezoni i këtij viti konsiderohet më pak shkatërrues se ai rekord i vitit 2023, autoritetet paralajmërojnë se intensiteti i flakëve është rritur ndjeshëm gjatë javës së fundit. Sipas të dhënave të qeverisë federale, deri tani janë djegur rreth 28 milionë hektarë tokë, krahasuar me afro 16 milionë hektarë vetëm një javë më parë.
Gjendja është më alarmante në Ontario, ku mbi 80 zjarre vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Provinca ka kërkuar ndihmë nga qeveria federale, ndërsa në terren janë angazhuar zjarrfikës nga rajone të tjera të vendit, së bashku me më shumë se 80 avionë dhe helikopterë për shuarjen e flakëve. Autoritetet kanë bërë të ditur se edhe 39 avionë të tjerë janë në gatishmëri për të evakuuar banorët e zonave të izoluara.
Në disa komunitete, veçanërisht ato indigjene, banorët janë detyruar të organizojnë vetë largimin, duke akuzuar autoritetet për mungesë koordinimi. Në komunitetin Collins, rreth 200 kilometra në veri të Thunder Bay, banorët u larguan me varka dhe më pas përshkuan rrugë pyjore të rrethuara nga flakët. Sipas drejtuesve të komunitetit, fshati është shkatërruar pothuajse plotësisht.
"Shumë kujtime u bënë tym, humbëm historinë tonë", tha udhëheqësja e komunitetit, Linda Debasij, duke shtuar se u detyrua të kthehej në zonën e përfshirë nga zjarri për të kërkuar dy banorë për të cilët nuk kishte asnjë informacion.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa të evakuuarit janë strehuar në qytete si Thunder Bay dhe Toronto.
Ndërkohë, tymi i transportuar nga erërat ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit jo vetëm në Toronto, por edhe në disa prej qyteteve më të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Sipas kompanisë zvicerane IQAir, Detroiti, Çikago dhe Uashingtoni ishin ndër qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit në botë gjatë orëve të para të ditës.
Shërbimet meteorologjike kanadeze paralajmërojnë se cilësia e ajrit në Toronto pritet të përkeqësohet sërish gjatë fundjavës, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një nga sezonet më intensive të zjarreve të viteve të fundit.
Lini një Përgjigje