Një masiv shkëmbor është shembur sot në rrugën që lidh zonën e Bovillës me disa fshatra përreth, duke bllokuar qarkullimin dhe izoluar banorët. Ngjarja ndodhi pas motit të keq të orëve të fundit, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe rënie gurësh.
Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje masive të tokës dhe inertëve, duke dëmtuar pjesërisht rrugën që lidh digën e Bovillës me disa fshatra të zonës, përfshirë Rrazë, Bruz Mal dhe Bruz Zallë.
Sipas informacioneve, rruga ka rrëshkitur rreth 100 metra larg digës, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke izoluar pjesërisht fshatrat e përmendura.
Rruga e dëmtuar ndodhet nga ana e Kamzës, nga segmenti Zallherr–Bovillë dhe situata kërkon ndërhyrje të shpejtë nga autoritetet për rikthimin e qarkullimit normal dhe sigurimin e aksesit për banorët.
Ndërkohë një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh ka bllokuar edhe aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë në afërsi të tuneleve.
Mësohet se si pasojë e shirave intensive janë shkëputur gurë të cilët e kanë bërë të pakalueshëm aksin.Kompania kontraktore e mirëmbajtjes është detyruar të vendosë në përdorim baypass-in provizor për kalimin e mjeteve.
Ngjarja është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh se ky aks ka kushtuar 260 milionë euro dhe u inaugurua vetëm dy muaj më parë, pas 16 vitesh punime.Pas shembjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar reagoi duke gjetur “fajtorin” e vetëm që është moti i keq.
Në reagimin zyrtar, ARRSH deklaroi se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rrëshqitjen e gurëve në km 35 të aksit.
ARRSH duhet ta dinte se kushte të tilla atmosferike janë të zakonshme në këtë periudhë dhe duhej të ishin parashikuar në projektim, që rruga të mos dëmtohej me reshjet e para.
Sipas ARRSH, grupet e punës në terren po vlerësojnë situatën dhe kanë marrë masa për krijimin e një bypass-i të përkohshëm, me qëllim devijimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë. Aksi, sipas njoftimit, është i hapur dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Në fund, ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin frenimet e papritura.
Lini një Përgjigje