TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Korrik 2024, 14:13

 “Shqarthi” i Parlamentit dhe “Kunadhja” e Financave arritën të konsolidojnë mafien e mikrokredive në AMF!

Shkruar nga Pamfleti

 “Shqarthi” i Parlamentit dhe “Kunadhja” e

Ervin Mete në ditët e fundit si ministër, bashkë me Eduart Shalsin organizuan në rrëmujë e sipër të kalojnë për votim dy emra për anëtarë bordi të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, AMF.

Si u votuan Deniz Deralla dhe Merita Gurabardhi dje në parlament? Çfarë interesash okulte kanë Eduart Shalsi dhe Ervin Mete në AMF sa të sfidojnë edhe frikën ndaj SPAK?

Dje parlamenti mbylli sesionin e parë me një seancë maratonë ku u miratuan dhe “debatuan” shumë ligje. Populli dëgjoi sherrin për “Kodin Zgjedhor” ku marrëveshja PD-PS për “Kushtetutën” u shpjegua thjesht dhe popullorçe nga Dash Shehi.

Ai tha: “Dëgjoni ktu: Ky vendi jon gja quhet vendi i Shqiponjave…kot fare se s`ka ndonjë lidhje me kët’ punë. Ky është veni kanarinave, kanarinat i nxjerrin n’kafaz, hapi dhe derën nuk fluturojnë, se n’kafaz është ngrohët, pi ujë, ha dhe fara...”.

Por në mes të kafazeve me kanarina, deputeti Shehi, nuk dalloi “kunadhen” dhe “shqarthin” në sallë. Ervin Mete në ditët e fundit si ministër, bashkë me Eduart Shalsin organizuan në rrëmujë e sipër të kalojnë për votim dy emra për anëtarë bordi të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, AMF. PS votoi me 73 vota pro dhe dy kundër Merita Gurabardhin dhe Deniz Derallën. E para u votua edhe si nëndrejtor ekzekutiv i bordit të AMF.

Skandali u kap disi nga deputeti Gazment Bardhi i PD që pyeti, “Ka një problem në këtë votim, me emrat, përse kjo mungesë balance për këtë organ të pavarur? Ka qenë gjithmonë me ekuilibër zgjedhja e anëtarëve të bordit të drejtorit dhe nëndrejtorit ekzekutiv të AMF, midis pozitës dhe opozitës”.

“Shqarthi” Shalsi, nxitoi të sqarojë Bardhin duke justifikuar “Zgjedhja e të dyve është bërë komfor kërkesave të ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Anëtari i Bordit, që zgjidhet edhe nëndrejtori ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi me propozimin e Ministrit të Financave, ndërsa tjetri me propozim të Bankës së Shqipërisë.”

Këtu diskutimi u mbyll. PS votoi me shpejtësi Deniz Derallën propozuar nga Guvernatori Sejko, kur të dy po hetohen intensivisht nga SPAK për masakrën e mikrokredive, duke i dhënë kështu një mandat tjetër 5 vjeçar si anëtar bordi te AMF, ndërsa Ervin Mete propozoi në emër të Ministrisë së Financave, vartësen e tij, Merita Gurabardhin.

Kush është Merita Gurabardhi?

Gurabardhi është shefe kabineti e “kunadhes” së financave Ervin Mete. Njihet si “luledelja” e tij, që në kohën kur Mete u bë Drejtor i Përgjithshëm i AMF, duke ngjitur shkallët e pozicionimit të saj brenda këtij institucioni. Me një karrierë modeste në sistemin bankar bashkë me motrën Arta Gurabardhi, u vendosën si prestanome tek kompania e mikrokredisë AFI (Albanian Financial Institucion shpk) që ka marrë licencën nga Guvernatori Sejko në Maj 2016.

AFI është një tjetër piramidë mashtrimi në fushën e mikrokredisë në pronësi kryesore të Besnik Leskaj, pinjoll i ish deputetes socialiste Valentina Leskaj. Me transaksione e fije mafioze të shtrira deri në Angli e Portugali, kompania e mikrokredisë AFI është përzierë në pastrim parash në fonde investimesh duke blerë e shitur kredi shumëmilionëshe nëpër banka.

Motrat Gurabardhi kanë ndihmuar në këto operacione të AFI, derisa largohen para disa vitesh duke shitur kuotat e tyre. Merita Gurabardhi tërhiqet nga Mete tek AMF, kur ky emërohet drejtor i këtij institucioni.

Përse nxituan “kunadhja” Mete dhe “shqarthi” Shalsi të dërgojnë emisaret e mikrokredive në bordin e AMF?

Në kulmin e hetimeve që bëhen nga SPAK për skandalin e mikrokredive, ku dita ditës priten lajme për goditje të kupolës së Bankës së Shqipërisë, Shalsi dhe Sejko emërojnë në AMF, Deniz Derallën, të dyshuarin kryesor të këtij skandali po për të bllokuar bordin e AMF me votat e tyre fusin edhe “luledelen” Gurabardhi si votë të dytë të sigurt në bordin me 5 anëtarë.

Aktualisht, Bordi i AMF ka këtë përbërje: Olsi Çoku, Mimoza Kaçi, Idlir Gjata, Deniz Deralla, Merita Gurabardhi. Ndërkohë Gjata dhe Çoku janë rekrutuar me kohë nga vetë Gurabardhi që ai do jetë edhe “shefja” e tyre.

Për të kuptuar më mirë se çfarë roli ka bordi i AMF dhe dy anëtarët e rinj të emëruar nga “kunadhja” dhe “shqarthi” i mikrokredive, mund të vizitohet faqja zyrtare e AMF që anonçon mbledhjen e datës 31.07.2024 së këtij bordi, me këtë rend dite:

1. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar;

2. Miratimi i rendit të ditës;

3. Projekt “Mbi miratimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) Dhe Bankës Kombëtare Të Hungarisë (HNB)”;

4. Projekt “Mbi miratimin e projektrregullores “Mbi formën, përmbajtjen dhe afatet kohore të raporteve dhe pasqyrave financiare të ndërmjetme dhe vjetore të shoqërive administruese, fondeve të pensionit privat dhe depozitarëve””;

5. Projekt “Mbi miratimin e ndryshimeve në rregulloren nr. 89, datë 27.06.2016 “Për kriteret dhe kërkesat për miratimin e shoqërisë audituese të shoqërive administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe shoqërive administruese të fondeve të pensionit vullnetar, e ndryshuar””;

6. Projekt “Për regjistrimin e aktofertës të shoqërisë “Banka Kombëtare Tregtare” sh.a., për emetimin e obligacioneve”;

7. Projekt “Mbi miratimin paraprak të kërkesës së shoqërisë “Vienna Life Insurance” – “Vienna Sigurim Jete” sh.a., për të ushtruar veprimtari sigurimi në klasat e jetës në territorin e Republikës së Shqipërisë”;

8. Projekt “Mbi miratimin e emërimit të personelit kyç të shoqërisë “First Investment Bank” sh.a., si Depozitar”;

9. Mbi miratimin e ushtrimit të veprimtarisë së agjentit në sigurime;..

AMF me votimin e djeshëm u kthye në institucionin e varur prej veshësh tek pushteti mafioz i mikrokredive dhe emisarët e tij në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit Eduart Shalsi dhe ministrin në ikje të Financave Ervin Mete. Me emërimet e djeshme në bordin e AMF, Shalsi me Meten sfiduan hapur SPAK që po heton të gjitha institucionet e mikrokredive dhe personat e lidhur me ta.

“Kanerinat që pinë ujë dhe hanë fara n’kafaz...”, ashtu si i quajti parlamentarët deputeti Dashmir Shehaj, votuan symbyllur dy prurjet e “shqarthit” Shalsi bashkë me “kunadhen” Mete, duke e kthyer përfundimisht AMF-në dhe bordin e saj në një çerdhe mafioze ku do strehohen interesat okulte financiare ashtu si ato të Bankës së Shqipërisë./Pamfleti

Lini një Përgjigje