
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën për shqyrtimin e ankimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila kundërshton vendimin e Shkallës së Parë për të shpallur të pafajshëm Elvis Dukën në dosjen e vrasjes së ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko.
Seanca nuk u zhvillua pasi mbrojtja e Elvis Dukës pretendoi se klienti i tyre nuk ishte njoftuar në përputhje me procedurat ligjore. Pretendimi u ngrit edhe pse avokatët ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, çka solli shtyrjen e shqyrtimit të çështjes.
Gati shtatë vite pas atentatit ndaj Santiago Malkos, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dënoi me gjithsej 130 vite burg pesë të pandehur. Si organizator dhe porositës i vrasjes u shpall fajtor Leonard Duka, i cili u dënua me 30 vite burg, ndërsa vëllai i tij, Elvis Duka, u shpall i pafajshëm. Pikërisht këtë vendim SPAK po kërkon ta ndryshojë në Apel.
Për të njëjtën dosje u dënuan me nga 25 vite burg edhe Fatmir Hyseni, Aleksadër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltion Lona, të cilët gjykata i konsideroi pjesë të grupit që realizoi ekzekutimin.
Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në shkurt të vitit 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri në muajin gusht të po atij viti për t'u përballur me drejtësinë shqiptare.
Në këtë çështje janë dënuar me vendime të formës së prerë edhe persona të tjerë, të gjykuar në procese të ndara për shkak të arrestimit të tyre në kohë të ndryshme. Blendi Teta do të vuajë përfundimisht 25 vite burg, pasi Gjykata e Apelit riktheu të njëjtin dënim në dhjetor 2025, pas prishjes së vendimit nga Gjykata e Lartë.
Po ashtu, Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg për të njëjtën ngjarje. Vendimi i mëparshëm ndaj tij ishte prishur nga Gjykata e Lartë dhe çështja ishte rikthyer për rigjykim. Gjatë këtij procesi, Selmani doli për disa javë nga paraburgimi për shkak të përfundimit të afateve të masës së sigurisë dhe u mbajt në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore, derisa Apeli vendosi dënimin përfundimtar dhe rikthimin e tij në burg.
Santiago Malko u vra më 27 gusht 2019 në Tiranë. Sipas hetimeve, atentati lidhej me konfliktin mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt, i cili konsiderohej mik i afërt i viktimës. Prokuroria arriti të zbardhë dinamikën e ngjarjes edhe përmes komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar Sky ECC, ku, sipas dosjes hetimore, diskutoheshin organizimi dhe ekzekutimi i atentatit.
Lini një Përgjigje