Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka folur lidhur me virozat që po prekin vendin gjatë sezonit dimëror, duke theksuar se bëhet fjalë kryesisht për grip stinor dhe nënvariantet e tij, të cilat gjejnë kushte të favorshme për përhapje në këtë periudhë.
Sipas Bratajt, këtë vit është prezent gripi i tipit A, përfshirë nënllojet H1N1 dhe H1N2, si edhe gripi i tipit 2. Paralelisht me ta, po qarkullojnë edhe viruse të tjera respiratore, si RSV dhe Covid-19. Ai bëri të ditur se këtë sezon është konstatuar edhe një nënlloj i ri i gripit, i quajtur tip K, ndaj të cilit popullata nuk ka ende imunitet të plotë.
“Gripi është vetë virus me nënvariantet e tij. Këtë vit kemi tipin A, H1N1, H1N2, tipin 2, por edhe RSV dhe Covidin. Madje, këtë vit gripi pati edhe një nënlloj të ri, tipin K, ndaj të cilit nuk jemi plotësisht të mbrojtur,” u shpreh Brataj për News 24.
Brataj theksoi se periudha e gjatë epidemiologjike e dominuar nga Covid-19 ka ndikuar në uljen e imunitetit kolektiv ndaj gripit sezonal. Kjo, sipas tij, e ka bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj virozave të tjera respiratore që qarkullojnë aktualisht.
Sa i përket kohëzgjatjes së sëmundjes, Brataj sqaroi se gripi zgjat mesatarisht 7–8 ditë, por në disa raste mund të zgjasë edhe më shumë. Ditët e para shoqërohen me temperaturë të lartë dhe simptoma të forta, ndërsa më pas pacientët mund të ndiejnë përmirësim, edhe pse virusi vazhdon të jetë aktiv në organizëm.
“Njerëzit shpesh dalin jashtë me mendimin se janë shëruar, por virusi vazhdon të veprojë. I ftohti është armik për indet e dobësuara nga infeksioni dhe kjo e përkeqëson sëmundjen,” tha Brataj.
Duke paralajmëruar për rrezikun e daljes së parakohshme në të ftohtë, Brataj theksoi se indet e dobësuara nga infeksioni janë më të ndjeshme dhe ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore. Ai këshilloi qytetarët që, edhe pas përmirësimit të simptomave, të vijojnë me pushim, trajtim të duhur dhe shmangie të të ftohtit, pasi gripi është një sëmundje që kërkon kohë për shërim të plotë.
Lini një Përgjigje