
Mjekja pediatre Valbona Shahinaj duke folur për situatën shëndetësore në vend tha se jemi në stinë virozësh, ndërsa ka këshilluar qytetarët që të mos pinë shumë medikamente brenda pak orësh, nëse nuk kanë gjendje të rënduar.
Në emisionin ‘Kjo javë’ në News 24, Shahinaj tha se të viroza ka shenja si rrufa, skuqja e syve, teshtimat, dhimbje fyti ose dhimbje të pjesës së veshëve.
“Jemi në situatë viroze, normalisht është dimër. Është stina që janë më të shprehura e më të dukshme. Edhe në verë ka pasur, por në dimër është më tipike.
Në qarkullim ka shumë viroza dhe shpesh ngjiten. Edhe kjo që kemi tani është virozë e bashkëngjitur, janë disa lloje që bashkërendojnë me njëra-tjetrën. Viroza më e shprehur është njëra, që është me temperaturë disi të lartë.
Është rezistente si temperaturë dhe iu reziston edhe ilaçeve, e ndaj do presim. Një temperaturë që zbret menjëherë nuk është mirë, por duhet të zbresë gradualisht.
Paracetamoli e ka efektin zakonisht pas 1 ore. Nuk mund të pimë dy ilaçe brenda orës, sepse do ishte mbidozë. Në momentin e parë duket sikur ia ul temperaturën, por mund të shkaktojë hipertermi. Nëse i kemi dhënë ilaçin me dozën e duhur, duhen së paku 2 orë të kalojë që të merret ilaç tjetër.
Sigurisht, që varet edhe nga temperatura e trupit, nëse është mbi 40 mund të veprohet disi më ndryshe. Viroza ka shenja si rrufa, skuqja e syve, teshtimat, dhimbje fyti ose dhimbje të pjesës së veshëve. Viroza u përhap para se të niste shkolla dhe nisja e shkollës bëri që të përhapet më tepër.
Do sugjeroja prindërit, që nëse kanë temperaturë të lartë, mos të çojnë fëmijët në shkollë. Edhe të rriturit, nëse janë të sëmurë, duhet të mos shkojnë në punë, sepse ka pasur raste që gjendja është rënduar. Duhet menduar dhe për të tjerët, sepse virozat përhapen edhe tek kolegët. Edhe vjet kemi pasur shtrirje. Ka pasur raste deri në bronkopneunomi”, tha ajo.
Lini një Përgjigje