Aktualitet12 Tetor 2023, 10:10

S’ka liri për Fredi Belerin! Shtyhet seanca në GJKKO, avokatët kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda

Shkruar nga Pamfleti
S’ka liri për Fredi Belerin! Shtyhet seanca në GJKKO,
Fredi Beleri

Është shtyrë për më 17 tetor seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.

GJKKO kërkoi kohë të shprehet mbi kërkesën e avokatëve të Belerit për shpalljen e pavlefshme të akteve të Prokurorisë Vlorë.

Prokurorët e SPAK, Adnand Xholi dhe Dorina Bejko ishin kundër kësaj kërkese. 

Mësohet se avokatët e Belerit kërkuan pavlefshmëri të regjistrimit të hetimeve për të dhe përjashtim të gjyqtares Etleva Deda.

Deda dorëzoi dorëheqjen, për shkak se ka shqyrtuar më herët një kërkesë të Belerit. Gjithashtu avokatët paraqitën kërkesë për pavlefshmëri të të gjitha akteve, përfshirë edhe dërgimin e çështjes në gjyq. Po ashtu, Beleri kërkoi pavlefshmëri të akteve të dërgimit të dosjes në gjykim, aktin e regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Vlorës, si edhe autorizimet për përgjime audio e video.

Për të ndjekur nga afër seancën, ka qenë e pranishme ambasadorja greke në vendin tonë dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, të cilët nuk pranuan që të flisnin për mediat.

Fredi Beleri e ka konsideruar mbajtjen në burg si politike. Lidhur me mosbetimin e tij si kryebashkiak dhe me mbajtjen e tij në burg kanë reaguar dhe politikanë të Greqisë të cilët herë pas here kanë kërcënuar vendin tonë në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Belerit i është refuzuar 5 herë kërkesa për të dalë nga paraburgimi.

Kujtojmë se Fredi Beleri ndodhet në paraburgim që prej datës 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale i arrestuar me akuzën e blerjes së votave tek i infiltruari i policisë.

Nga hetimet e kryera nga SPAK rezulton se Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 eurosh për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat. Vetë shtetasit Arsen Rama, Beleri i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

Beleri bisedon me informatorin dhe i premton 50 euro për 13 vota që të nesërmen dhe 300 euro për vetë informatorin nëse votat do të dilnin në kuti. Informatori i thotë që të mos shqetësohet se i ka votat e sigurta dhe se ai do të dalë garant për to.

Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.

fredi beleri gjkko avokate perjashtim etleva deda