TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Korrik 2026, 07:57

Sot seanca e fundit plenare/ SPAK dhe 6 institucione ‘japin llogari’ para deputetëve, çfarë pritet të ndodhë me rendin e ditës

Shkruar nga Pamfleti
Sot seanca e fundit plenare/ SPAK dhe 6 institucione ‘japin llogari’
Kuvendi

Kuvendi zhvillon sot seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.

Në rendin e ditës janë përfshirë një sërë çështjesh, ndërsa vëmendja kryesore do të përqendrohet te shqyrtimi i raporteve vjetore të institucioneve të drejtësisë. Deputetët do të diskutojnë raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas rendit të ditës, Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025.

Një nga pikat më të rëndësishme të seancës është raporti i veprimtarisë së SPAK-ut për vitin 2025, për të cilin pritet të ketë debat politik lidhur me punën e strukturës antikorrupsion dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar. Projektrezoluta për SPAK-un do të prezantohet nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Gjatë seancës do të shqyrtohen gjithashtu raportet e Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Po ashtu, janë parashikuar interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Blendi Himçi, Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.

Në rendin e ditës përfshihen edhe disa akte normative dhe projektligje, mes tyre akti normativ për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare, si edhe nisma ligjore që prekin ekonominë, shoqëritë evropiane, turizmin, Kodin Detar, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe pronësinë industriale.

Deputetët do të votojnë gjithashtu për emërime në Komisionin e Prokurimit Publik, ndërsa në përfundim të seancës janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Seanca pritet të shoqërohet me debate politike, veçanërisht gjatë shqyrtimit të raporteve të institucioneve të drejtësisë dhe të SPAK-ut.

Ndërkohë, për ditën e nesërme është paralajmëruar një protestë para Parlamentit. Organizatorët kanë bërë të ditur se do t’u urojnë deputetëve "pushime të mbara", duke qenë se kjo është seanca e fundit plenare që mbyll sesionin parlamentar.

Seanca e fundit plenare u karakterizua nga përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me rendin e ditës. Opozita refuzoi të dëgjonte raportimin e Avokatit të Popullit, Endri Shabani, me argumentin se nuk e njeh zgjedhjen e tij, pasi u votua vetëm me votat e Partisë Socialiste. Pas debateve, seanca u ndërpre me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Rendi i ditës

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.7.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 20.7.2026.

2. Njoftime.

3. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025".

4. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025".

5. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025".

6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025".

7. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025".

8. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025".

9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025".

10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.

12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri. 13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026" 14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, "Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturorturistik me përmasa ndërkombëtare".

15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian".

16. Projektligji "Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)".

17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)".

18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim". 19. Projektligji "Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve".

20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare", të ndryshuar".

21. Projektligji "Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

22. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, "Për turizmin", i ndryshuar". 23. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, "Кodi Detar Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar".  

24. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, "Për Avokaturën e Shtetit", të ndryshuar".

25. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, "Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile".

26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, "Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare"

27. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, "Për pronësinë industriale", të ndryshuar".

28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar".

29. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Рër Policinë e Shtetit".

30. Projektvendim "Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik".

31. Projektvendim "Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik". 32. Projektvendim "Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik". 33. Projektvendim "Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik". 34. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

sot seanca e fundit plenare raportojnë spak dhe 6 institucione të tjera

Lini një Përgjigje