TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Gusht 2025, 20:10

SPAK gropos vjedhjen me fondet e BE dhe amniston Frida Krifcën: Hetimet vetëm në fazë paraprake!

Shkruar nga Pamfleti

SPAK gropos vjedhjen me fondet e BE dhe amniston Frida Krifcën: Hetimet

Dosja prej 2 vitesh në SPAK, Dumani ende flet për hetime paraprake...

Prokuroria e Posaçme prej më shumë se dy vitesh ka kyçur në sirtar dosjen abuzive me fondet IPARD. Edhe pse vetë OLAF ka dorëzuar një dosje voluminoze në SPAK dhe dokumentet me faktet janë aty, SPAK duket se e ka marrë me qetësi këtë punë, ndërkohë që Ilir Beqajt i vunë prangat brenda pak javësh kur zbuluan se paguante dreka e darka me fondet e Brukselit.

Ashtu sikundër “Pamfleti” e ka denoncuar disa herë se Rama dhe Dumani kanë “amnistuar” Frida Krifcën, duket se kjo po konfirmohet zyrtarisht nga SPAK.

Prokuroria ka publikuar te regjistri i transparencës pyetjet që ka marrë gjatë muajit korrik dhe një ndër to ka qenë:

"Në Prokurorinë Speciale, SPAK në shtator të vitit 2023 është bërë kallëzim penal në lidhje me abuzimet e mundshme të AZHBR-së, të fondeve IPARD. Në çfarë faze janë hetimet? Sa persona janë thirrur për të dëshmuar në lidhje me çështjen? Sa persona janë thirrur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe sa prej tyre në cilësinë e personave të dyshuar si të përfshirë në abuzimin e mundshëm.

Një nga personat e denoncuar është edhe ish-drejtoresha e AZHBR-së dhe ish-ministrja e Bujqësisë F.K. A është thirrur për të dëshmuar?

Gjithashtu edhe zyra e Bashkimit Europian kundër Mashtrimeve, OLAF ka dalë me një raport të imtësishëm mbi abuzimin e mundshëm të fondeve IPARD II, të përcaktuara nga AZHBR. Konkretisht, raporti saktëson se parregullsitë e konstatuara përfshinin: Aplikantëve u kërkohet t'i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale. Kontratat që jepen pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar (me oferta false që dorëzohen) – Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale. A e ka administruar SPAK raportin e OLAF si indicie për hetime të mëtëjshme?

Po mbushen afërsisht dy vite nga denoncimi i kësaj çështjeje, përse SPAK nuk ka dalë ende në përfundime kur pas pak muajsh jemi në kushtet e skadimit të afateve hetimore?".

Por edhe pse në këtë pyetje thuhen të gjitha, përgjigjja e SPAK ka qenë e shkurtër, e thatë dhe konfirmon se Frida Krifca do vijojë të hajë luleshtrydhe e qetë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal dhe çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjë publike informacione të mëtejshme”, shprehet SPAK.

Pra prokuroria deklaron se është në fazë verifikimesh paraprake, ndërkohë që ka dy vite që ka pasur kallëzime dhe Shqipëria është pa fonde.  

Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, shprehej KE pak ditë më parë.

Hetimi i OLAF nuk ka nevojë për investigim të ri. Ajo që kërkohet është një vendim i thjeshtë për të regjistruar çështjen dhe për të çuar për ndjekje penale përgjegjësit. Por kjo nuk ndodh, sepse linja e bllokimit është e koordinuar.

Dhe ndërkohë që SPAK dhe qeveria mbyllin sytë ndaj një dosjeje me vlerë 183 milionë euro, fermerët shqiptarë mbeten pa fonde. /Pamfleti

Lini një Përgjigje