
Shumë prindër ankohen se nuk kanë amrrë akoma një përgjgije nga Drejtoria për Çerdhet dhe Kopshtet...
Platforma e regjistrimit online të fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës duket se ka rezultuar dështim. Edhe pse në qershor u prezantua si risi nga Anuela Ristani dhe drejtoria përkatëse, në fakt kjo platformë ka bërë që me qindra prindër të sorollaten rrugëve për të regjistruar fëmijët në çerdhe apo kopshte.
Por çfarë ka ndodhur realisht? Pas aplikimit që u bë në qershor, u njoftua se në fund të gushtit do të dilnin rezultatet dhe prindërit do të njoftoheshin me email. Rezulton se një pjesë janë njoftuar dhe shumë jo.
Në adresë të “Pamfletit” kanë ardhur shumë denoncime, ku prindërit ankohen se nuk kanë marrë asnjë informacion. Sipas tyre, për të njëjtin kopësht apo çerdhe, miq apo të afërm që i kanë fëmijët aty janë informuar, ndërsa ata aspak.
Kjo ka bërë që shumë prindër të shkojnë te Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve, duke kërkuar informacion mbi fatin e fëmijëve të tyre. Nga një verifikim që ka bërë “Pamfleti” rezulton se në ambientet e kësaj drejtorie ka pasur radhë të mëdha prindërish, kjo edhe për shkak të arrogancës së punonjëseve.
Shumë prindër janë parë të bërtasin dhe të zihen me to për shkak se askush nuk jep sqarim. Punonjëset kanë gjetur si metodë dhënien e disa fletë-ankesave dhe u kërkohet prindërve të shkruajnë aty kërkesat. Por shumica nuk kanë marrë asnjë përgjigje edhe pas kërkesave me shkrim. Shumë prindër ankohen se në shtator nisin punë dhe nuk kanë ku t’i lënë fëmijët.
“Bëjnë miliona euro tender për regjistrim online dhe tani e kanë kthyer në kaos. Unë bashkë me gruan jemi në punë dhe nuk kam ku ta lë fëmijën në shtator, duhet ta çoj në çerdhe. Jemi të dy të siguruar, me çdo gjë në rregull. Është hera e tretë që vi këtu dhe nuk më japin asnjë sqarim. Thonë do t’ju informojmë brenda gushtit, por frika ime është se do të zihen vendet dhe ku ta çoj unë gocën pastaj?”, shprehet një qytetar.
Të njëjtin shqetësim kanë dhe shumë të tjerë, teksa problem ka edhe me regjistrimin në kopësht pasi skandali është se shumë fëmijë janë regjistruar njëherësh në 3-4 kopshte. Vetë organet përgjegjëse heshtin dhe shprehen se këtë javë të gjithë do të marrin përgjigje, por pa dhënë sqarim se pse ky diferencim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje