
SPAK është përfshirë në çështjen e hetimit ndaj sulmit me armë ndaj Top Channel në minutat e para të 27 marsit.
Kreu i SPAK Altin Dumani ka thënë sot se organi që ai drejton ka kontribuar dhe është i gatshëm për çdo çështje që mund të dalë.
“Që në orët e para të mëngjesit, kam kontaktuar në telefon drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. I kam ofruar mbështetjen e plotë të strukturës së posaçme. Më ka thënë se po kryeheshin veprimet e para hetimore. Kam vendosur të dërgoj në analizën e bërë në drejtorinë e policisë, një prokuror dhe oficer të policisë gjyqësore. Megjithëse është çështje në kompetencë të prokurorisë së Tiranës, edhe ne jemi aty, po bëjmë veprimet tona, dhe nëse do dalë diçka, do kemi veprime."-tha kreu i SPAK.
Kujtojmë që Policia ka vënë në dispozicion 100 mijë euro për çdo person që mund të japë informacion të vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes.
Të shtënat me armë i morën jetën rojës së godinës, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ka qenë duke u ngrohur pranë një ngrohëse që ka pasur brenda kabinës. Dyshohet se kanë qenë mbi tre persona që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë, të paktën 2 kanë qëlluar me breshëri mbi zyrat e Top Channel, ndërkohë që një tjetër ka qenë drejtuesi i makinës. Autorët pasi kanë djegur makinën dyshohet se kanë shkuar drejt Vlorës. Mësohet gjithashtu se makina me të cilën të paktën 3 autorë, një ‘Range Rover’ që është gjetur më pas e djegur në Golem të Kavajës me 2 kallashnikovë, nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri.
Lini një Përgjigje