
Vala intensive e të nxehtit që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë të dominojë edhe në ditët e para të javës, duke sjellë temperatura ekstreme në të gjithë rajonin.
Sipas parashikimeve meteorologjike, e hëna pritet të regjistrojë temperatura maksimale prej 40-41°C, ndërsa të martën termometri mund të ngjitet në 41-42°C. Në disa zona të veçanta nuk përjashtohet që temperaturat të arrijnë deri në 43°C. Edhe dita e mërkurë do të mbetet nën ndikimin e të nxehtit përvëlues.
Sipas sinoptikanëve, ndryshimi i situatës atmosferike pritet të nisë nga e enjtja, 23 korrik, kur depërtimi i masave më të freskëta ajrore do të sjellë një rënie graduale të temperaturave. Në disa pjesë të Ballkanit jugperëndimor parashikohen reshje shiu dhe stuhi të izoluara, të cilat mund të sjellin një lehtësim të përkohshëm nga i nxehti ekstrem.
Ndërkohë, e gjithë Evropa vijon të përballet me një nga sezonet më të nxehta të viteve të fundit. Temperaturat rekord janë regjistruar në shumë vende të kontinentit, ndërsa raportimet tregojnë se, që nga muaji qershor, mbi 12 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e valëve ekstreme të të nxehtit. Këto zhvillime kanë rritur shqetësimet e autoriteteve dhe ekspertëve për ndikimin serioz të temperaturave të larta në shëndetin publik.
Lini një Përgjigje