TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Maj 2025, 12:00

Struktura e re për kontrollin e SPAK, Dumani përplaset me ministrin e Drejtësisë: Po sillni mbingarkesa burokratike

Shkruar nga Pamfleti

Struktura e re për kontrollin e SPAK, Dumani përplaset me ministrin e

Kreu i SPAK, është 'përplasur' me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja pas propozimit nga Këshilli i Ministrave për ngritjen e një strukture të re për kontrollin e Prokurorisë së Posaçme.

Ministri i Drejtësisë prezantoi ditën e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme rekomandimet e qeverisë në luftën kundër krimit. Në qendër të prezantimit ishin tetë shtylla kryesore, të cilat sipas Manjës synojnë rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë penale, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Por, i pranishëm në mbledhje ishte dhe kreu i SPAK Altin Dumani. Kreu i SPAK, është 'përplasur' me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja pas propozimit nga Këshilli i Ministrave për ngritjen e një strukture të re për kontrollin e Prokurorisë së Posaçme.

Altin Dumani u shpreh se SPAK është tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP dhe ILD. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme theksoi se krijimi i këtyre strukturave të reja të vlerësimit do të rrezikonte të sillte një mbingarkesë burokratike.

“Një rekomandim që shikoj, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritete dhe luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja ‘nevojë për respektim të mekanizmave ekzistues të kontrollit’. Rekomandohet forcim i mekanizmave të brendshme kontrollit. SPAK, tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD, krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistues rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike”, tha Altin Dumani.

Më tej, Dumani deklaroi se rekomandimet e ardhura nga qeveria dhe institucione të tjera për luftën ndaj krimit po gjejnë zbatim në punën e institucionit që ai drejton.

Dumani ka theksuar se një pjesë e këtyre rekomandimeve nuk shoqërohen me të dhëna statistikore apo analiza të thelluara që mund të ndihmojnë në zbatimin konkret të tyre.

Sipas kreut të SPAK, disa rekomandime janë formuluar në mënyrë shumë të përgjithshme dhe shpeshherë duken subjektive, gjë që vështirëson përkthimin e tyre në masa konkrete.

Dumani shtoi gjithashtu se mungesa e konkretizimit dhe bazës statistike i bën disa prej tyre të vështira për t’u implementuar në praktikën e përditshme të punës së SPAK.

Pjesë nga fjala e kreut të SPAK:

Pasi jemi njohur me rekomandimet nuk mund të rri pa thënë disa elementë, disa gjetje tonat. Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje. Kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike.

Rekomandimet tek një pjesë e tyre përdorin terma të përgjithshëm si hetimet proaktive, forcimi i qasjes strategjike, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional. Kjo krijon pasiguri për zbatimin praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshëm nga institucionet zbatuese.

Një rekomandim tjetër që shikoj, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritete dhe luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja “nevojë për respektim të mekanizmave ekzistues të kontrollit”. Rekomandohet forcim i mekanizmave të brendshme kontrollit. SPAK, tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD, krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistues rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike.

Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshëm, institucione përgjegjëse apo burime konkrete duke rrezikuar të mbeten jo të zbatueshëm. E thashë për ti bërë parapri, sepse ne në fund të çdo viti raportojmë edhe përmbushjen e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave.

Kështu që patjetër në tërësinë e tyre rekomandimet janë të mirëpritura dhe shprehim angazhimin maksimal si institucion që këto rekomandime të jenë në prioritetin e punës së institucionit, por nga ana tjetër disa prej tyre nga mënyra se si janë formuluar apo si janë konceptuar nga pikëpamja praktike paraqesin vështirësi për tu zbatuar. Dhe unë që tani konstatoj vështirësi se si do të raportoj për përmbushjen e këtyre rekomandimeve.

Lini një Përgjigje