Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço tha në emisionin “Review” se në Shqipëri janë rreth 3000 përdorues të aplikacionit SKY.
Ai tha gjithashtu se nëse këto operacione shkojnë si duhet në muajt në vijim do shohim para drejtësië edhe emra të tjerë të rëndësishëm.
“Janë mesazhe të cilat në volumin shqiptar zënë deri në 3000 përdorues të cilët kanë shkëmbyer mesazhe brenda dhe jashtë vendit. Pavarësisht se këta mund të identifikohen me emra, mbiemra dhe IP. Telefonat janë pa GPS, pa audio, pa kamer, pra janë të papërgjueshëm.
Këta sigurisht përcjellin të dhëna që ti vetë identifikohesh. Sinjalet që vijnë nëpërmjet formave të ndryshme që mblidhen në një server janë sinjale që gjenerohen nga Ballkani dhe janë të ndarë me numra e me shtete.
Kjo na ngre pritshëmritë e mëdha se ne do kemi thesaret tona për të hetuar dhe për të gjykuar edhe në muajt në vijim personazhe të tjerë shumë të rëndësishëm”,-tha profesor Ervin Karamuço.
Ju rikujtojmë se çelësi i SPAK në hetimin që çoi në pranga një prokuror dhe ish-shefin e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, ishin informacione të përcjella nga autoritetet franceze, belge e holandeze të drejtësisë, bisedat e të dyshuarve në platformat dikur të pagjurmueshme “Sky” dhe “EncroChat”.
Me besimin e një komunikimi të sigurit, anëtarët e grupit kriminal kanë marrë e dhënë porosi për vrasje, planifikuar krime, si edhe raportuar realizimin e tyre në kohë reale.
“U kry”, ishte një nga këto mesazhe, ku i tregohej të tjerëve se vrasja ishte realizuar me sukses. Mes komunikimeve të zbardhura është edhe porosia e biznesmenit Gjoka ndaj Bejhar Bajrit për një vrasje. Ndonëse është përfolur për një shumë 100 mijë euro në këmbim, biznesmeni ka pohuar se mund të jepte edhe 110 mijë euro.
Njëra palë ka pranuar të kryejë një vrasje për llogari të tjetrës, me kusht që tjetri të kryente një vrasje për llogari të tyre.
Lini një Përgjigje