
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Teilor Tivarin, i cili vrau me thikë Valbon alias Marko Beqiraj, dhe bashkëpunëtorin e tij.
Togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 24-vjeçarit dhe mikut të tij me iniciale Xh. D., që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja me taksi duke e dërguar fillimisht në banesën e tij.
Teilor Tivari sipas burimeve ka shprehur pendesë para togave të zeza të Gjykatës së Durrësit gjatë seancës së sotme (27 Shtator).
Dinamika e krimit
Teilor Tivari akuzohet se masakroi me thikë në banesë 51-vjeçarin Valbon alias Marko Beqiraj, i cili u gjet i masakruar në banesën në katin e katërt të pallatit në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, rreth 9 orë pas krimit që tronditi vendin.
Vrasja raportohet se ndodhi rreth orës 10:00 të datës 24 Shtator 2025, por trupi i Valbon alias Marko Beqiraj u zbulua nga nipi i tij rreth orës 19:00.
Autori i dyshuar i krimit, 24-vjeçari Teilor Tivari, sipas bluve, kishte hyrë në banesën ku ndodhej viktima për të blerë kokainë.
“Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.”
Pas dhunimit dhe masakrimit me thikë të viktimës, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga 27 vjeçari me iniciale Xh. D., i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.
Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale. Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre”, theksuan blutë.
Autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori i tij, i cili e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, janë arrestuar nga policia një ditë pas ngjarjes (25 Shtator).
“Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij”, informoi policia.
Ndërkohë 24-vjeçari në dëshminë e tij ka deklaruar se: “Me 51-vjeçarin njiheshim, ishim miq. Më thirri në banesën e tij dhe shkova për të pirë një gotë birrë. Pas bisedës 51-vjeçari tentoi të në përdhunonte. Tentova të mbrohesha, ai ishte më i fuqishëm se unë, i shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova.
U përleshëm me njëri-tjetrin sepse nuk më lejonte të largohesha. Jam larguar i tronditur nga vendi i ngjarjes, nuk e mendoja se ai do të vdiste”.
Lini një Përgjigje