
Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona, të cilët akuzohen për mashtrim.
Të arrestuar janë shtetasit Xhonatan Xhaferri, Leonard Xhika, Petro Ferzaj dhe Mikel Panxhi.
Ata akuzohen se tentuan që t’i merrnin 70 mijë euro një biznesmeni, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror.
Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit Xhensil Qefa dhe Florian Gjergji, i përfshirë edhe më parë në këtë skemë mashtrimi.
"Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas (biznesmen), duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror, vihen në pranga 4 shtetas. Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, njëri prej tyre i dyshuar organizator i kësaj skeme mashtrimi. Sekuestrohen 2 automjete dhe 6 celularë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 70 000 euro.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xh. Xh., 24 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, M. P., 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe P. F., 51 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Q., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe F. Gj., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 70 000 euro, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 6 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.", njofton Policia.
Kush është Florian Gjergji dhe skema që përdorte ai për të mashtruar biznesmenët?
Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh.
Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve.
Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë. Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.
Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren. Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor.
Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani.
Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë. Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir.
Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur. Burime të Report Tv bëjnë me dije, se këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.