
Vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme gjatë ditës së sotme, duke favorizuar mot të kthjellët dhe temperatura të larta në të gjithë territorin.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, pjesa më e madhe e vendit do të karakterizohet nga kthjellime, ndërsa gjatë orëve të mesditës dhe pasdites priten vetëm vranësira të pakta kalimtare në zonat malore të lindjes. Këto vranësira nuk do të shoqërohen me reshje shiu.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me një shpejtësi mesatare rreth 8 metra në sekondë. Në vijën bregdetare dhe në zonat luginore, intensiteti i saj do të jetë më i lartë, duke arritur deri në 17 metra në sekondë.
Sa i përket kushteve në det, valëzimi parashikohet të jetë nga 2 deri në 3 ballë, si në detin Adriatik ashtu edhe në detin Jon.
Meteorologët u rekomandojnë qytetarëve të ndjekin njoftimet dhe përditësimet zyrtare për të qenë të informuar mbi çdo ndryshim të mundshëm të kushteve atmosferike.
Lini një Përgjigje