Pas mbushjes së Sheshit “Italia”, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në kryeqytet. Pjesëmarrja mbetet e lartë, ndërsa thirrjet kundër Ramës dhe kastës politike dëgjohen në çdo rrugë.
Revolta qytetare nuk ka shenja lodhjeje. Edhe pas disa orësh protestë, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, duke mbajtur të njëjtin ritëm dhe të njëjtën pjesëmarrje masive që ka karakterizuar tubimin e kësaj mbrëmjeje.
Pas ndalesës simbolike në Sheshin “Italia”, aty ku pak orë më parë Edi Rama zhvilloi aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, turma është zhvendosur drejt institucioneve kryesore të vendit.
Aktualisht protestuesit kanë mbërritur pranë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa rrugët përreth janë mbushur me qytetarë që marshojnë nën flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe klasës politike.
“Rama ik”, “Shqipëria është e jona”, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi” dhe “Jep dorëheqjen” janë disa nga thirrjet që dëgjohen vazhdimisht përgjatë marshimit.
Ndryshe nga sa pritej pas më shumë se dy javësh mobilizim, pjesëmarrja mbetet shumë e lartë. Qytetarët vazhdojnë t'i bashkohen turmës gjatë rrugës, ndërsa organizatorët flasin për një nga mbrëmjet me pjesëmarrjen më të madhe që nga nisja e protestave.
Marshimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, por me tone të forta politike. Protestuesit po përsërisin kërkesat për largimin e Edi Ramës, zgjedhje të parakohshme dhe fundin e asaj që e cilësojnë si kastë politike që ka dominuar jetën publike shqiptare për dekada.
Ndërsa nata avancon, revolta duket larg fundit. Turma vijon të lëvizë në rrugët e kryeqytetit, duke treguar se mobilizimi qytetar mbetet i lartë dhe se protesta nuk ka ndërmend të ndalet.
Lini një Përgjigje