Detaje të reja kanë dalë nga incidenti i regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë protestës qytetare në Tiranë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur një person, i cili mbante me vete një qen të madh dhe shfaqte mbështetje për Partinë Socialiste, afrohet pranë turmës së protestuesve dhe përfshihet në një përplasje verbale. Ai ka sulmuar influenceren Dea Mishel.
Sipas dëshmitarëve, prania e tij ka shkaktuar reagim të menjëhershëm te protestuesit, të cilët e kanë konsideruar një provokim. Situata është tensionuar për pak çaste, ndërsa disa qytetarë i janë vënë pas personit në fjalë, duke e detyruar të largohet me vrap nga zona e protestës.
Ngjarjen e ka konfirmuar më pas vetë Dea Mishel përmes një reagimi në Instagram, ku ka dhënë versionin e saj të asaj që ndodhi.
“Kjo video është e vërtetë! Mu sul me fjalë, i pa provokuar. Ishte e frikshme sepse kishte dhe një qen të madh me vete që si dihet si mund të jetë trajnuar. Disa çuna e ndoqën nga aty! Kërkoj ndihmën tuaj dhe të Policisë së Shtetit për të gjetur kush ishte ky person, që të mos lejohet më aty për të provokuar njerëzit. Duhet të shmangen incidentet e tilla. Ju çunat që më mbrojtët, ndihem sikur ju kam vëllezër, se keni vënë veten në rrezik për mua. Jam shumë e shqetësuar. Nuk dua të shoh asnjë incident dhune. Protesta do vazhdojë!”, shkroi ajo.
Sipas Dea Mishel, personi që iu afrua nuk ishte provokuar më parë dhe sulmi verbal ndodhi papritur. Ajo shprehet se u ndje e kërcënuar jo vetëm nga sjellja e tij, por edhe nga fakti se ai mbante me vete një qen të madh.
Lini një Përgjigje