Elio Mazreku u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më datë 23 Nëntor 2023, pasi u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm për pasurinë.
Ish prokurori i Tiranës, Elio Mazreku është emëruar drejtori i ri i Hetimit Doganor.
Mazreku u shkarkua 23 Nëntor 2023 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i vetingut, pasi u përball me barrë prove për ligjshmërinë e të ardhurave të familjes së tij.
Prokurorët dhe gjyqtarët që shkarkohen nga detyra në kuadër të procesit të vetingut përballen me kufizime të forta ligjore për ushtrimin e funksioneve publike.
Me botimin në Fletoren Zyrtare dhe dekretimin nga Presidenti i Republikës, Ligji nr. 10/2026 që ka hyrë në fuqi më 28 shkurt 2026, vendos ndalime të përhershme për ish-gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar ose tërhequr nga detyra për t’iu shmangur vetingut.
Sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ky proces synon largimin nga sistemi të individëve që nuk plotësojnë kriteret e pasurisë, figurës dhe aftësisë profesionale, me qëllim rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.
Në praktikë, individët e shkarkuar ose ata që dorëhiqen gjatë procesit konsiderohen të papërshtatshëm për funksione të rëndësishme në shtet dhe u ndalohet rikthimi në sistemin e drejtësisë, ndërsa për një periudhë të gjatë (deri në 15 vite, sipas interpretimit të dispozitave kushtetuese dhe ligjeve të reformës) ata nuk mund të mbajnë poste të larta publike.
Sipas analizës financiare të KPK, Elio Mazreku rezultonte me një bilanc negativ prej 22.8 milion lekësh, për shkak të mungesës së provave për ligjshmërinë të një sërë llogarish bankare që ishin përdorur në blerjen e një apartamenti 129 metra në vitin 2010. Po ashtu sipas KPK ai nuk kishte justifikuar një shumë prej 5 milion lekësh nga babai i tij dhe disa dhurata nga vëllai.
Vendimi u mor nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Roland Ilia anëtar dhe Pamela Qirko relatorë.
Mazreku i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe këmbënguli se të ardhurat në fjalë ishin të ligjshme vinin nga puna e bashkëshortes në një OJF dhe se mënyrat e pagesës nuk kontrolloheshin prej saj.
Elio Mazreku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës.
Skeda e pasurisë së deklaruar nga Elio Mazreku
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Elio Mazreku nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018, arsye për të cilën u penaliza.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Elio Mazreku deklaronte pasuri me vlerë 17.2 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 52.7 milionë lekëve, duke shënuar një rritje me gati 3 herë.
Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 27.9 milionë lekë, likujditete bankare prej 20.7 milionë lekësh dhe kursime të akumuluara në cash prej 4 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 58.7 milionë lekë, nga të cilat gati 27% kanë si burim pagën e subjektit, 37% pagat e familjarëve, gati 9% dhuratat në cash dhe 3.3% të ardhurat nga qiraja.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Por nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” mungesën e të dhënave të plota për pronat dhe likujditetet cash të përfituara nga trashëgimia.
Në deklarimin për herë të pare, subjekti deklaron pasuri të paluajtshme të përfituara nga trashëgimia në bashkëpronësi dhe me familjarë të tjerë, pra vlera e deklaruar për këto prona duhet të jetë vlera e tregut.
Deklarimi periodik/vjetor 2010 është i palexueshëm, duke krijuar vështirësi në lidhjen logjike të ndryshimit të gjendjes së likuiditeteve.
Në vitin 2008, subjekti deklaron “Të holla (cash) të përfituara pas vdekjes së babait tim më 18.02.2008. Burimi i krijimit: trashëgimia, dhurimi nga babai pak para vdekjes dhe përfitimi pas vdekjes në shumën 5,000,000 lekë”.
Eh ta lumsha o shtet .. Ky me 50 milion lek xhenazeje,ai tjetri te synetlliku çunit,një tjetër kish kap skedina dikur. Ja pra drrejtësia e “noltmadhnisë” Rama II, popllin shkërdheje për i vjedhje patatinash e kto Dash Sula e Mazrek me shok ricikloj. Ropt o Ed Rama sipas gjatësis