TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Korrik 2026, 16:43

Nuk mbulohet dielli me shoshë, zoti ministër!

Shkruar nga Pamfleti
Nuk mbulohet dielli me shoshë, zoti ministër!
Rama-Gonxhe duke inspektuar stadiumin ku do të mbahet koncerti

"Nuk është prekur spitali i askujt."

Me këtë fjali, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u përpoq të shuante debatin mbi vendimin e qeverisë për të financuar me 4.25 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West.

Por, siç thotë edhe shprehja popullore, dielli nuk mbulohet me shoshë.

Sepse pyetja që shtrojnë shumë qytetarë nuk është nëse paratë janë marrë nga një zë apo një tjetër i buxhetit. Pyetja është nëse një qeveri duhet të përdorë fondin rezervë të shtetit për të shpëtuar një aktivitet privat, në një kohë kur spitalet ankohen për mungesë ilaçesh, shkollat kanë nevoja të shumta për investime dhe dhjetëra projekte publike presin financim.

Në intervistën për A2 CNN, Gonxhja këmbënguli se fondi nuk ka cenuar asnjë program tjetër të qeverisë.

"Nuk është prekur spitali i askujt, as programi i askujt. Është një fond i vogël... që është aty për raste kur ka nevoja të paparashikuara dhe që plotësojnë kushtet e një nevoje të paparashikuar," deklaroi ministri.

Megjithatë, vetë vendimi i qeverisë ngre pikërisht pikëpyetjen nëse shpëtimi i një koncerti privat mund të konsiderohet "nevojë e paparashikuar" në kuptimin kushtetues të përdorimit të fondit rezervë.

Vetëm një ditë më parë, ekspertë të ekonomisë dhe të së drejtës argumentuan se fondi rezervë është menduar për fatkeqësi natyrore, emergjenca shëndetësore apo situata të jashtëzakonshme dhe jo për të mbuluar kostot e organizimit të një koncerti.

Por ministri shkoi edhe më tej, duke mbrojtur investimin me argumentin se dëmi nga anulimi i koncertit do të ishte më i madh.

"Humbja që do të kishim, pra dëmi që do të shkaktohej nga zhgënjimi i atyre që kanë prerë biletat. Ndoshta një pjesë e tyre nuk do t'i merrnin dot mbrapsht paratë. Ka njerëz që kanë paguar 15 mijë dollarë dhe kanë ardhur që nga Australia", u shpreh Gonxhja.

Ai këmbënguli gjithashtu se shteti nuk mund të qëndrojë larg industrisë kreative.

"Ky është një treg në dukje privat, por është pjesë e industrisë kreative të vendit tonë. Nuk ka në asnjë vend të botës... që shteti të rrijë pas një muri dhe privatët pas një muri tjetër. Ky mur nuk ekziston," tha ministri.

Madje, sipas tij, efekti ekonomik i koncertit do të jetë katër herë më i madh se fondi i dhënë nga qeveria.

Megjithatë, kritikat nuk janë shuar.

Sepse 4.25 milionë euro janë para publike.

Janë para që, sipas kritikëve, mund të përdoreshin për investime në spitale, shkolla, rrugë lokale apo për nevoja të tjera të qytetarëve. Vetëm pak ditë më parë, ekspertët llogaritën se me këtë shumë mund të ndërtohej një shkollë e re, të bliheshin dhjetëra autobusë urbanë ose të financoheshin investime të rëndësishme në sistemin shëndetësor.

Ndërkohë, prej muajsh qytetarët denoncojnë mungesën e ilaçeve në spitalet publike dhe vështirësitë për të marrë shërbime bazë, ndërsa qeveria argumenton se një koncert privat përbën një emergjencë që justifikon përdorimin e fondit rezervë të shtetit.

Dhe pikërisht këtu qëndron debati.

Sepse askush nuk diskuton rëndësinë e një eventi ndërkombëtar apo ndikimin e tij në turizëm. Debati është nëse taksat e qytetarëve duhet të përdoren për të mbuluar kostot e një organizimi privat, pasi vetë qeveria kishte deklaruar për muaj me radhë se koncerti do të realizohej pa asnjë financim nga buxheti i shtetit.

Në fund, mbetet një fakt që asnjë deklaratë nuk e ndryshon: 4.25 milionë euro dolën nga buxheti i shtetit për të shpëtuar një koncert privat. Dhe këtë, siç thotë shprehja popullore, nuk e mbulon dot dielli me shoshë.

 

west rama gonxhe

1 Komente

  1. N
    Noc Frroku

    Shprehja :" Nuk mbulohet dielli me shoshë " nuk qëndron.Më e skta shpreje është : " Nuk lahet muti me shurrë "

    Lini një Përgjigje