TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Korrik 2025, 08:25

Ultimatumi i Ramës, sot nis aksioni kundër tregtimit të bulmetit pa faturë; tatimet ‘zbresin’ në terren

Shkruar nga Pamfleti

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vjet, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti. Kjo situatë, së bashku me shtimin e kërkesës së brendshme, ka favorizuar ndjeshëm importet. Ky aksion gjithashtu do të dëmtojë rëndë prodhuesit e vegjël dhe ato lokalë.

Ultimatumi i Ramës, sot nis aksioni kundër tregtimit të bulmetit
Kryeministri Edi Rama

Duke filluar nga dita e sotme nuk do të lejohet më tregtimi i bulmetit pa faturë tatimore.

Tatimet do të ‘zbresin’ në terren për të verifikuar nëse produktet janë të shoqëruara me faturë fiskale në momentin e blerjes.

Ky aksion vjen pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me kryetarët e bashkive të vendit. Ultimatumi synon gjurmueshmërinë e produkteve për të garantuar sigurinë ushqimore.

“Duke filluar nga e hëna nuk ka më paralajmërime po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë”, tha Rama gjatë takimit me kryebashkiakët.

Sipas qeverisë, duke u kryer i gjithë qarkullimi i produkteve me faturë, do të jetë më e lehtë të identifikohen ato subjekte apo fermerë që cenojnë sigurinë ushqimore, pasi fatura zbardh origjinën e produktit. Edhe ministria e Bujqësisë Anila Denaj dhe ai i Financave Petrit Malaj paralajmëruan gjatë një inspektimi, se nuk do të tolerohet asnjë shkelje që cenon sigurinë ushqimore për qytetarët.

Por ky aksion rrezikon seriozisht blektorët dhe prodhuesit e vegjël për shkaqe që lidhen me probleme fiskale. Ligji i vitit 2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’,  i njohur masivisht si ‘fiskalizimi’, i përjashton fermerët nga detyrimi i lëshimit të faturës tatimore kur shesin produktin.Nga ana tjetër, blerësi, i cili mund të jetë tregtar, baxho, apo grumbulluesi duhet të lëshojë faturë për bujkun në momentin që marrin prodhimin.

Me ndryshimet ligjore të ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%. Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë. Në variantin më të mirë, nëse e blejnë janë të detyruar që 20 përqindëshin ta ngarkojnë mbi çmim, e për pasojë, produkti final për konsumatorët del më i shtrenjtë.

Nga tjetër, ka dhe një realitet që nuk mund të mos merret në konsideratë. Në Tiranë, ku nuk ka fabrikë përpunimi qumështi si në Lushnje apo Berat e Gjirokastër, ky produkt rrezikon të mbetet i pashitur nga blegtorët e vegjël. Zgjidhja për ta në këtë rast do të ishte tërheqja e tyre nga mbarështrimi i bagëtive, duke thelluar një krizë që ka nisur prej disa vitesh. Shqipëria numëron më pak se 1.7 milionë krerë lopë e të imta, nga 2.4 milionë krerë para një dekade.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vjet, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti. Kjo situatë, së bashku me shtimin e kërkesës së brendshme, ka favorizuar ndjeshëm importet. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitet e fundit importi i produkteve të bulmetit dhe të mishit është rritur shpejt. Nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës sipas përllogaritjeve janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tij.

edi rama aksioni kundër tregtimit të bulmetit pa faturë

Lini një Përgjigje