TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Janar 2026, 14:52

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë Ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë Ora 15:00
Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë

Ky është Blloku i lajmeve nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

Gjykata e Posaçme ka marrë sërish në shqyrtim çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke vendosur që ai të mbetet në burg, ndërsa seanca paraprake u shty edhe një herë. GjKKO rrëzoi kërkesat e avokates së tij për më shumë kohë për njohjen me aktet dhe për takim me klientin në paraburgimin e Durrësit.

Ndërkohë, një tjetër skandal i madh është zbuluar në Tiranë, ku një call center mashtronte qytetarë italianë për investime të rreme. Investigimi i emisionit italian “Le Iene” ekspozoi skemën kriminale, ndërsa SPAK arrestoi 8 persona, duke goditur një rrjet të mirëorganizuar mashtrimi ndërkombëtar.

Zhvillime ka edhe në çështjen e arratisjes së Altin Ndocit. Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për drejtorin e Burgut të Durrësit, ndërsa mjekja është lënë në arrest shtëpie, për përgjegjësi në lejimin e daljes së të dënuarit.

Në dosjen e rëndë të vrasjes së ish-policit Santiago Malko, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën. Seanca u shoqërua me tensione, pasi e ëma e viktimës kërkoi dënimin me vdekje, ndërsa Duka këmbëngul se është i pafajshëm dhe se çështja është e montuar.

Vijon edhe debati për emigrantët, ku 40 të huaj me precedentë penalë janë rikthyer nga Shqipëria në Itali, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe politikat e emigracionit.

Në kronikën e zezë, dy vëllezër u arrestuan në Gjirokastër për një vrasje të ndodhur në Dibër në vitin 2018, ndërsa në Tiranë u arrestuan dy persona të shpallur në kërkim nga Kosova, me qëllim ekstradimin.

Një ngjarje e rëndë ndodhi edhe në Sarandë, ku një çift të moshuarish plagosi me thikë një fëmijë pas një konflikti familjar.

Ndërkohë, modelja shqiptare Dajana Kalo po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore pas një hemorragjie cerebrale, dhe është hapur një fushatë ndihme për trajtimin e saj.

Në plan ndërkombëtar, Spanja po përjeton një tragjedi hekurudhore, me operacione shpëtimi ende në vijim, ndërsa në Iran raportohen ditët më vdekjeprurëse, me mbi 16,500 protestues të vrarë dhe qindra mijëra të plagosur.

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje