Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:
18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës/ Politika nderon heronjtë
Kosova shënon sot 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me aktivitete zyrtare të organizuara në Prishtinë.
Para Qeverisë së Kosovës u mbajt ceremonia e ngritjes solemne të flamurit shtetëror, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar sakrificën e gjatë historike për arritjen e shtetësisë. Ajo shtoi se përvjetori i Pavarësisë është edhe moment reflektimi për të ardhmen e vendit. Gjithashtu, edhe kryeministri Albin Kurti përcolli një mesazh me rastin e Pavarësisë, duke vlerësuar zhvillimet e shtetit ndër vite. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të ardhmen e vendit.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe përgjegjësisë institucionale. Haxhiu tha se kjo ditë shërben për të nderuar të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.
Sipas kryeparlamentares, përvjetori i Pavarësisë është një moment reflektimi për të forcuar institucionet dhe për të avancuar standardet demokratike në vend.
Kush do jetë zv.Drejtori i ri i Policisë?/ Erion Ismaili u pezullua pas skandalit të AKSH-it
Besmir Dervishi është komanduar në detyrën e nën drejtorit të Policisë së Tiranës. Emërimi i tij vjen pas pezullimit nga detyra të Erion Ismailit, i cili mbante më herët këtë post. Ismaili u pezullua në kuadër të një aksioni të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas hetimeve që lidhen me tenderët në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sa i përket profilit profesional, Dervishi ka një eksperiencë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit. Ai ka drejtuar komisariatet nr. 3 dhe nr. 5 në Tiranë, ndërsa së fundmi ka ushtruar detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Skandal në Kukës/ Të miturin e zënë poshtë inertet
Një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në Kukës mbeti i plagosur mesditën e djeshme në ambientet pranë institucionit arsimor. Ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës, përballë së cilës po zhvillohen punime për rikonstruksionin e plotë të ish-shkollës së vjetër “Bajram Curri”, që do të përshtatet si shkollë profesionale.
Fëmija po luante me top dhe pasi topi përfundoi pranë kantierit, ai iu afrua për ta marrë. Në atë moment, materiale inerte ranë mbi të dhe e plagosën.
Mësues dhe nxënës e transportuan fillimisht në urgjencën e spitalit të Kukësit. Më pas, mjekët e dërguan në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime bëjnë me dije se në zonën e punimeve nuk ishin vendosur masat e nevojshme të sigurisë teknike. Gjatë ditës së sotme autoritetet izoluan plotësisht kantierin.
Ndërkohë, Inspektoriati i Punës ndërhyri duke bllokuar punimet dhe vendosi shirita sigurie, për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe masave mbrojtëse në kantier.
Policia ka nisur procedim penal për drejtuesin teknik dhe punonjësin e firmës që po kryente punimet.
"Kancer dhe sëmundje zemre", studimi tronditës; Snickers, Kit Kat dhe Twix me nivele të larta arseniku
Një studim i publikuar së fundmi nga organizata Healthy Florida First ka ngritur shqetësime mbi praninë e arsenikut në disa nga karamelet më të njohura në treg.
Sipas studimit, janë testuar 48 produkte të ndryshme, nga të cilat 28 rezultuan të përmbajnë atë që autorët e përshkruajnë si nivele toksike të arsenikut.
Ndër produktet e përmendura si të prekura nga nivele jo normale të këtij metali të rëndë janë përfshirë marka të njohura si: Kit Kat, Snickers, Original Skittles, Swedish Fish, Sour Patch Kids dhe Tootsie Roll.
Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), arseniku mund të gjendet në ushqime për shkak të tokës ku janë rritur lëndët e para ose proceseve të përpunimit. Megjithatë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmërojnë se ekspozimi afatgjatë ndaj arsenikut mund të lidhet me rreziqe serioze për shëndetin, përfshirë disa lloje kanceri, probleme të lëkurës, sëmundje të zemrës dhe efekte neurologjike te fetuset në rastin e grave shtatzëna.
Për më shumë, klikoni në linkun e edicionit të lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje