Lexues të ‘Pamfleti’, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Pazaret për Këshillin Mbikëqyrës të BSH/ Ndërkombëtarët vihen në lvizje
Ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje për të ndaluar kapjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në Kuvend kanë nisur procedurat për 3 vende vakante, për të zëvendësuar Luljeta Minxhozin, Violeta Stakën dhe Artan Hoxhën. Në garë janë 20 kandidatë dhe ka zëra se PS dhe PD po bëjnë pazare për kandidatët.
“Pamfleti” denoncoi faktin se Rama e Berisha kanë vendosur të lënë në BSH Ritvan Boden. Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, mandati i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i ka mbaruar edhe Ridvan Bodes, por Kuvendi dhe Banka e Shqipërisë, në ujdi mes tyre, nuk kanë deklaruar mbarimin e mandatit të tij dhe as shpalljen e vendit vakant.
Por duket se PD dhe PS janë duke bërë pazare edhe për 3 emrat e rinj. Dhe në këtë aspekt kanë hyrë në lojë ndërkombëtarët. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ka shkuar në Kuvend pikërisht për këtë temë dhe ka kërkuar transparencë.
Edi Rama-Giorgia Meloni/ Shkaqet e thyrjes së madhe!
Mungesa e kontakteve mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, pas takimit të fundit qeveritar në Romë, sinjalizojnë jo thjesht një ftohje, por një ndërprerje të fortë politike mes dy vendeve.
Vizita e Ramës në Vatikan, pa asnjë takim paralel me Palazzo Chigi, përforcon perceptimin e izolimit të tij ndërkombëtar në një moment kritik, kur SPAK ka nisur ofensivën ndaj qeverisë dhe skandali i AKSHI-t ka tronditur mazhorancën. Pavarësisht koncesioneve të dhëna për çështjen e emigracionit dhe përpjekjeve për të ndërtuar një urë me administratën Trump përmes Melonit, kryeministri shqiptar duket se ka humbur mbështetjen politike në Romë. Sinjalet e nervozizmit dhe mungesa e kontakteve diplomatike tregojnë se izolimi sapo ka nisur dhe se kriza politike e Ramës po hyn në një fazë të re përshkallëzimi.
Giorgia Meloni duket se ia ka bërë “naftën” vëllait të saj politik Edi Rama, me të cilin nuk ka pasur asnjë kontakt që prej takimit të dy qeverive në Romë.
Kryeministrja italiane ka rritur ndjeshëm pozitat e saj ndërkombëtare, nga Japonia në SHBA, duke u shndërruar edhe në interlokutoren kryesore të Donald Trump me Bashkimin Europian, por duket se i ka fikur plotësisht dritat me kryeministrin shqiptar.
Si u shpërblye zinxhiri i Portit të Durrësit/ Nga Porta e mbetjeve dhe e drogës te Ministria e Mbrojtjes
Më 30 tetor 2024, “Pamfleti”, bazuar në prova, veprime, mosveprime dhe përgjegjësi për mbetjet që kaluan përmes Portit Detar të Durrësit, i kërkoi Prokurorisë së Durrësit dhe SPAK-ut të merrnin nën hetim ministren Mirela Kumbaro, e cila kishte dhënë lejen, si dhe drejtorin e Portit, Pirro Vengu, i cili lejoi kalimin e tyre pa kontroll.
SPAK nuk nisi hetim kryesisht, ndërsa në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit për personat përgjegjës për kontrabandën e mbetjeve të “Kurum”, në listë mungonin emrat e tyre.
Të paprekur nga drejtësia, Mirela Kumbaro është sot deputete dhe ministre e Arsimit, ndërsa Pirro Vengu është deputet dhe ministër i Mbrojtjes, ku vazhdojnë aktivitetin e tyre politik dhe administrativ me bekimin e Edi Ramës.
Tipik është rasti i Pirro Vengut dhe vartësve të tij, përgjegjës për lejimin e kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme toksike.
Katër muaj pasi u zbulua skandali i kontrabandës së mbetjeve dhe filloi hetimi nga Prokuroria e Durrësit, kryeministri Edi Rama e emëroi Pirro Vengun ministër të Mbrojtjes, ndërsa më 11 maj 2025 e bëri deputet përmes listës së mbyllur në qarkun e Vlorës.
“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”/ Norvegjia nis hetimet për ish-kryeministrin Thorbjorn Jagland
Norvegjia ka nisur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland, nën dyshimin për korrupsion që rrjedh nga kontakti i tij me financierin amerikan dhe abuzuesin seksual Jeffrey Epstein.
Jagland shërbeu si kryeministër nga viti 1996 deri në vitin 1997. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019 dhe kryesoi Komitetin Norvegjez të Nobelit nga viti 2009 deri në vitin 2015.
Në një deklaratë të enjten, agjencia norvegjeze kundër korrupsionit, Okokrim, tha se i kërkoi Ministrisë së Jashtme të heqë imunitetin e dhënë Jagland si ish-diplomat. Shefi i Okokrim, Pal Lonseth, tha se hetimi do të përqendrohet në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata ose favore në lidhje me pozicionet e tij, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Politikani veteran përmendet disa herë në një mori dosjesh nga Pasuria Epstein të publikuara javën e kaluar nga autoritetet amerikane.
Në një email drejtuar Epstein nga maji 2012, Jagland shkroi: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) vajza të jashtëzakonshme.” Në një email tjetër nga janari 2013, ish-kryeministri shkroi për planet për të vizituar ishullin privat të Epstein në Karaibe me gruan dhe djemtë e tij, duke shtuar: “Nuk mund ta vazhdoj vetëm me gra të reja, siç e dini.”
Për më shumë, klikoni në edicionin e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje