Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
As Berlini nuk e shpëton Ramën nga protesta/ Shqiptarët e presin me thirrjet për dorëheqje
Teksa prej 17 ditësh qytetarët protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, Edi Rama duket se nuk ka mundur t'u shpëtojë kundërshtarëve as gjatë vizitës në Gjermani.
Kryeministri shqiptar është përballur me protestues shqiptarë në Berlin, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur Rama del nga aktiviteti dhe drejtohet drejt automjetit të tij, ndërsa përballet me thirrje dhe akuza nga protestuesit e pranishëm.
“Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, dëgjohet të thërrasin protestuesit.
Mes tyre pati edhe thirrje të tjera që lidhen me protestën që po zhvillohet në Shqipëri.
“Turp”, “Anulo projektin”, “Anulo ligjin”, ishin disa nga mesazhet që iu drejtuan kryeministrit teksa ai largohej nga aktiviteti.
Nga pamjet shihet se Rama nuk është ndalur për të komunikuar me protestuesit. Ai i ka përshëndetur me dorë dhe më pas është futur në automjetin që e priste jashtë godinës.
Incidenti vjen në një moment kur protesta e nisur për Zvërnecin ka hyrë në ditën e saj të 17-të dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike. Ndërsa qytetarët vijojnë tubimet dhe marshimet në Tiranë, duket se jehona e protestës po shoqëron kryeministrin edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Rama ‘gjen fajtorin’ nga Berlini/ Irani luftë hibride Shqipërisë, Evropa na ka përjashtuar
Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor që u zhvillua në Berlin.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sfidat që lidhen me sulmet kibernetike dhe përhapjen e dezinformatave, duke theksuar se Shqipëria ka qenë një nga vendet e prekura nga këto fenomene.
“Sulmet kibernetike janë një problem madhor, me të cilin është përballur edhe Shqipëria. Kishte edhe dezinformata. U tha se do të ketë masakër mjedisore, u tha se ka korrupsion madhor, pa u provuar kjo gjë”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, përhapja e informacionit të pavërtetë ka ndikuar në krijimin e pakënaqësive dhe tensioneve në opinionin publik.
Rama tha se dezinformimi ka nxitur pakënaqësi të mëdha në publik, ndërsa theksoi se ky fenomen nuk është vetëm shqiptar, por një problem që prek të gjithë Europën dhe botën. Rama u shpreh se ata që nxisin “lincime digjitale” do të humbasin herët a vonë.
Merr fund "livadhisja" e politikës/ Eric Wendt votohet nga Senati Amerikan si ambasador në Shqipëri
Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri.
Kandidatura e tij mori miratimin përfundimtar me 51 vota pro dhe 47 kundër në seancën plenare të Senatit, duke i hapur rrugën marrjes së detyrës diplomatike në Tiranë.
Votimi përfundimtar vjen pasi kandidatura e Wendt kishte kaluar më herët me sukses edhe në Komitetin për Punët e Jashtme të Senatit, ku siguroi mbështetjen e shumicës së anëtarëve.
Me këtë vendim përfundon e gjithë procedura institucionale e konfirmimit dhe pritet që ai të nisë zyrtarisht detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane.
Emërimi i ambasadorit të ri po ndiqet me interes në Shqipëri, veçanërisht në një periudhë kur vendi përballet me sfida që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e reformave institucionale.
Rikthimi i një ambasadori të plotfuqishëm amerikan në Tiranë shihet si një sinjal i angazhimit të vazhdueshëm të Uashingtonit ndaj proceseve demokratike dhe zhvillimeve politike në vend.
U rrëzua teksa lëvizte me motor uji/ Vijojnë kërkimet për gjetjen e 37-vjeçarit në Liqenin e Ulzës
Edhe gjatë ditës së sotme kanë vijuar kërkimet për gjetjen e trupit të Armando Zajsit nga Laçi, i cili humbi jetën dy ditë më parë në Liqenin e Ulzës, teksa lëvizte me një mjet lundrues.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë përfshirë struktura të shumta shtetërore dhe vendore, mes tyre Forcat e Armatosura, Forca Detare, RENEA, Policia e Shtetit, shërbimet zjarrfikëse, Mbrojtja Civile, si dhe dhjetëra vullnetarë nga zona.
Polumbarët kanë vijuar kontrollet në thellësitë e liqenit, ndërsa kërkimet janë shtrirë edhe në sipërfaqen e ujit përmes mjeteve lundruese dhe dronëve. Në terren janë angazhuar mbi 120 efektivë e vullnetarë, të mbështetur nga pajisje të specializuara, autoambulanca dhe mjete të tjera logjistike.
Megjithë përpjekjet intensive të zhvilluara gjatë gjithë ditës, trupi i 37-vjeçarit ende nuk është lokalizuar. Autoritetet bëjnë me dije se operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa ekipet e angazhuara mbeten në gatishmëri të plotë.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje