
Një bandë shqiptare e drogës, që vepronte në zonën jugore të Antwerpit, është dënuar në Belgjikë me burgime deri në gjashtë vjet për trafikimin e afro 200 kilogramëve kanabis dhe rreth 7 tonëve kokainë. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e më shumë se 3,1 milionë eurove pasuri të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Sipas mediave belge, hetimi nisi më 23 shkurt të vitit 2024, pasi policia e Antwerpit mori informacion se një automjet BMW me targa rumune përdorej për trafik ndërkombëtar droge. Në informacion përmendeshin edhe dy adresa në rrugët Lambermontstraat dhe Geuzenstraat, në Antwerp.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia zbuloi një furrë me mikrovalë të modifikuar, brenda së cilës ishin fshehur më shumë se 2,2 kilogramë kokainë.
Pas këtij zbulimi, hetuesit vendosën nën vëzhgim shtatë lokacione: pesë në Antwerp, një në Brasschaat dhe një tjetër në Linter, në provincën e Brabantit Flamand. Gjatë operacionit u identifikuan tetë persona të dyshuar, të cilët u panë disa herë duke transportuar kuti dhe thasë me substanca kimike.
Në një objekt në rrugën Geuzenstraat, policia gjeti gjashtë qese mbeturinash me rreth 50 bidonë bosh të produkteve që përdoren për larjen, pastrimin dhe përpunimin e kokainës. Furra me mikrovalë, sipas hetuesve, përdorej jo vetëm për përpunimin e drogës, por edhe për transportimin e saj në mënyrë të fshehtë.
Pas disa muajsh hetime, më 5 shtator të vitit 2024 u kryen kontrolle në disa banesa. Në Geuzenstraat dhe në Linter policia zbuloi dy laboratorë droge, ku kokaina lahej, pastrohej dhe përpunohej në formën përfundimtare. Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 1.400 litra substanca kimike, 10 kilogramë kokainë dhe 23 kilogramë kanabis.
Hetuesit sekuestruan gjithashtu makina për numërimin e parave, telefona celularë dhe një kontabilitet të detajuar të organizatës kriminale. Dokumentacioni tregoi se grupi kishte trafikuar afro 191 kilogramë kanabis dhe rreth 7 tonë kokainë, me një xhiro të vlerësuar në 147 milionë euro.
Megjithëse të gjithë të pandehurit mohuan përfshirjen dhe kërkuan shpalljen të pafajshëm, në fund të muajit qershor gjykata i dënoi me burgime që variojnë nga 40 muaj deri në gjashtë vjet. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e më shumë se 3,1 milionë eurove pasuri me origjinë kriminale.
Dënimin më të rëndë e mori Arbri C. (35), të cilin gjykata e konsideroi si një nga drejtuesit e organizatës. Sipas vendimit, ai mbante kontaktet, mbikëqyrte lokacionet e ndryshme dhe koordinonte aktivitetin e grupit, edhe pse merrte udhëzime nga persona të tjerë në nivele më të larta. Ai u dënua me gjashtë vjet burg dhe 48 mijë euro gjobë.
Arban D. (33), i cili paguante shumicën e kontratave të qirasë për objektet e përdorura nga organizata, u dënua me pesë vjet burg dhe 40 mijë euro gjobë./ Përshtati "Pamfleti" nga "Nieuwsblad.be"
Lini një Përgjigje