Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Mesazhi i Sokol Sadushit për magjistratët: Presioni do ju vendosë në provë, duhet t’i shërbeni ligjit
Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëherazi kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, u drejtoi një mesazh magjistratëve të sapodiplomuar gjatë ceremonisë së diplomimit, duke theksuar se sfida më e rëndësishme në karrierën e tyre do të jetë fitimi i besimit të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Sadushi nënvizoi se hyrja në sistemin e drejtësisë nuk është thjesht përmbyllja e studimeve, por fillimi i një misioni me përgjegjësi të lartë publike, që kërkon profesionalizëm, integritet dhe karakter.
Kryetari i Gjykatës së Lartë ndaloi gjithashtu te sfidat që sjell epoka e rrjeteve sociale dhe ndikimi i opinionit publik, duke theksuar se magjistratët duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji dhe jo nga presioni i perceptimeve apo reagimeve publike.
Sipas tij, autoriteti i një magjistrati nuk buron nga funksioni apo toga që mban, por ndërtohet përmes sjelljes, arsyetimit juridik, dinjitetit dhe drejtësisë në ushtrimin e detyrës.
Akuzat e Ramës për iranianë në protestë/ Softa: Shërbimi sekret do kishte ndërhyrë nëse do të shfaqeshin
Eksperti Fatjon Softa ka folur lidhur me protestën e qytetarëve të cilët prej 29-të ditësh po mblidhen para Kryeministrisë. Ai u pyet lidhur me praninë e disa shtetasve të huaj me origjinë nga Irani në protestë.
Sipas ekspertit Softa, nëse këta persona do të shfaqnin rrezikshmëri, shërbimet inteligjente dhe pikat kufitare do të kishin ndërhyrë menjëherë për kthimin e tyre që në aeroportin e Rinasit.
Softa theksoi se sa herë që flitet për sigurinë kombëtare, duhet të ketë transparencë maksimale deri aty ku nuk cënohet informacioni sekret. Ai shtoi se mungesa e transparencës dhe keqinterpretimi i fakteve e kthen çështjen në politike dhe të pabesueshme për publikun.
Softa shtoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka shkëmbim të vazhdueshëm informacioni me aleatët. Sipas tij nëse shërbimet informative do të kishin të dhëna për elementë të rrezikshëm të lidhur me luftën hibride të Iranit, ata do të ishin ndaluar dhe kthyer mbrapsht që në aeroport.
Artisti që bën Kryeministrin/ “Revolucioni i flamingove” trondit pushtetin e Edi Ramës
A mund të jetë Edi Rama një nga viktimat e ardhshme kolaterale të trumpizmit? Duke i ofruar Ivanka Trump dhe Jared Kushner ishullin e Sazanit dhe disa mijëra hektarë bregdet të egër, kryeministri socialist, në pushtet që prej vitit 2013, ndoshta mendonte se do të forconte statusin e tij si njeriu i fortë i vendit dhe do të fitonte simpatinë e Presidentit amerikan.
Por pamjet e shqiptarëve të zemëruar, të dhunuar nga agjentë të sigurisë private gjatë vendosjes së kantierit, nën sytë e një policie pasive, nxitën një nga lëvizjet më të mëdha të protestës që nga rënia e diktaturës në vitin 1991. Këto pamje tërhoqën gjithashtu vëmendjen e mediave ndërkombëtare mbi mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës.
Prej më shumë se një muaji, çdo mbrëmje turma shqiptarësh marshojnë poshtë dritareve të tij duke brohoritur: "Shqipëria nuk është në shitje", dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Këto tubime, të gëzueshme dhe plotësisht paqësore, u pagëzuan shpejt me emrin "Revolucioni i flamingove rozë".
Artisti që fillimisht u emërua ministër Kulture dhe më pas kryebashkiak jokonvencional i Tiranës, Edi Rama është paraqitur për një kohë të gjatë si i vetmi njeri i aftë ta fuste Shqipërinë në shekullin XXI. Por sot, në protesta, ai paraqitet i maskuar si gangster, i gatshëm të shesë pasuritë më të çmuara natyrore dhe kulturore të vendit.
Për Gjeneratën “Z” shqiptare, e cila dëgjohet fuqishëm në rrugët e kryeqytetit, ish-basketbollisti profesionist mishëron vetë një sistem politik të gërryer nga klientelizmi dhe interesat mafioze. Një sistem që i shtyn të rinjtë të largohen nga vendi: rreth 160.000 persona janë larguar nga Shqipëria mes viteve 2021 dhe 2026, ndërsa vendi numëron sot vetëm 2,3 milionë banorë, krahasuar me pak më shumë se 3 milionë sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2001.
Analiza e Rai 3/ Protestat larguan Vuçiçin në Serbi, po Ramën do e rrëzojnë në Tiranë?
Një ditë më parë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, njoftoi se do të qëndronte edhe për disa javë në këtë funksion dhe më pas do të largohej. Nuk dihet nëse ky paralajmërim i Vuçiç është një tërheqje nga politika, apo një rotacion, sikundër ka ndodhur edhe më parë, kur ai herë është shfaqur si Kryeministër dhe herë si President.
Ndërkohë në Shqipëri prej 1 muaji ka nisur një revoltë qytetare ndaj Kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkohet dorëheqja, ndërsa ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të dorëzojë “timonin” që mbi 800 mijë shqiptarë ia besuan në zgjedhjet parlamentare të majit 2025.
Televizioni italian RAI3 ka bërë një krahasim mes protestave në Serbi që po çojnë drejt dorëheqjes Aleksandar Vuçiç dhe manifestimeve në Shqipëri që kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.
Gazetarja Flavia Paone ka ngritur pyetjen: a munden protestat qytetare kundër korrupsionit apo shpërdorimit të fondeve publike të kenë sukses?
Sipas medias italiane, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi papritur dorëheqjen e tij, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë presioni politik të shoqëruar me rreth një vit e gjysmë protesta në rrugë. Demonstratat u organizuan kryesisht nga të rinjtë dhe studentët, të cilët kanë ngritur akuza për korrupsion dhe kanë kërkuar ndryshime politike në vend.
Sipas Rai 3, dëshira për ndryshim që po shprehet nga brezi i ri në Serbi gjen jehonë edhe në Shqipëri.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje