Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:
Kryeministri Edi Rama prezantoi programin “Rilindja Urbane 2.0”, duke njoftuar një fond prej 1.5 miliardë eurosh për zhvillimin urban. Ai tha se qytetarët janë bërë më kërkues dhe se shteti nuk mund t’i lërë në dorë të “fallxhorëve”, ndërsa opozita e akuzon se po përdor investimet për propagandë.
Debati politik u ashpërsua edhe pas hetimeve për komentet negative ndaj bizneseve turistike. Sali Berisha akuzoi Ramën se po vepron si regjime autoritare për të frikësuar protestuesit dhe kritikët në rrjetet sociale.
Skandali i 4 milionë eurove për koncertin e Kanye West merr një tjetër zhvillim. Adriatik Lapaj e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar aktin që, sipas tij, u botua në Fletoren Zyrtare pa kaluar në Parlament. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është përplasur me Avokaturën e Shtetit, duke deklaruar se nuk merr rekomandime prej saj, por respekton standardet e Strasburgut.
Një raport i ri tregon se shqiptarët paguajnë ndër tarifat më të larta në Ballkan për telefoninë dhe internetin, rreth 7.6 për qind mbi mesataren e Bashkimit Europian. Ndërsa Ambasada Amerikane paralajmëroi se vizat turistike mund të mos rinovohen për ata që i përdorin për të lindur fëmijë në SHBA.
Në kronikë, Prokuroria e Durrësit vendosi masa për 12 persona të dyshuar për falsifikim pronash dhe sekuestroi 80 mijë metra katrorë tokë. GJKKO dënoi pesë anëtarë të grupit kriminal “Revanshi” me mbi 31 vite burg në total. U zbardh atentati ndaj Ilir Likës në Kurbin, ndërsa SPAK mbylli hetimet për vrasjen e Besnik Hidës dhe dërgoi çështjen në gjykatë.
Policia arrestoi në Durrës tre persona, mes tyre dy shtetas nga Maqedonia e Veriut të kërkuar për vrasje. Në Shkodër u zbardh krimi në familje ku një burrë vrau bashkëshorten pas një sherri xhelozie. Ndërkohë, një operacion i përbashkët shqiptaro-italian goditi një grup kriminal, me 23 persona të arrestuar dhe zbulimin e një skeme spiunimi të policisë përmes autobusëve të linjës.
Në botë, një avion i Ryanair bëri ulje emergjente në Selanik pas një defekti në motor. Në Spanjë, zjarret kanë shkaktuar të paktën 11 viktima dhe dhjetëra të zhdukur. Ndërsa në Lindjen e Mesme, negociatorët e Katarit ndodhen në Iran në përpjekje për të rifilluar dialogun mes Uashingtonit dhe Teheranit, mes frikës për një përshkallëzim të ri të konfliktit...
Lini një Përgjigje